Aktuale

Thaçi flet për diskutimet e LVV-së dhe LDK-së për postin e Presidentit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  në ditën e fundit të vitit ka mbajtur një konferencë për media, ku mes tjerash ka folur edhe për proceset e brendshme politike dhe rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

I pyetur nga gazetarët rreth dialogimit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e presidentit, i pari i vendit Hashim Thaçi ka thënë se çdo marrëveshje të arritur nga spektri politik do ta mirëpret.

Ai tha se është e natyrshme që partia fituese është ajo që e përcakton partnerin dhe çdo marrëveshje që arrihet mes spektrit politik e mirëpret dhe do ta shtyjë përpara.

“Sa i përket zhvillimit dhe debateve të partive politike, unë jam ndër ata liderë që e kam përvojën e këtyre debateve, kam marrë pjesë diku 4-5 herë në themelimin e qeverive të Kosovës. I di vështirësitë dhe pengesat që mund të paraqiten në mes spektrit politik për të arritur një marrëveshje – që janë krejt normale në një vend demokratike. Çdo marrëveshje – edhe për president që bën spektri politik unë vetëm dua ta duartrokas”, tha ai.

Në këtë rast, Thaçi tha se është me interes të vendit që të mos humbet kohë dhe sa më parë të bëhen institucionet e reja./FaktePlus

the authorGazetaKNN