Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë kujtuar demonstratën e 11 marsit të viti 1981.
Presidenti Thaçi ka shkruar se viti 1981 ka shënuar kthesën përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avancimin politik të Kosovës.
“Pas demonstratave të vitit 1968, që shprehën hapur kërkesën për ngritjen e statusit të Kosovës në nivel të republikës, më 11 mars 1981 filloi një fazë e re historike. Demonstrata e filluar nga studentët e Universitetit të Kosovës u shndërruan në vullnet dhe kërkesë gjithëpopullore për Republikën e Kosovës. Viti 1981 shënon kthesën përfundimtare të orientimit të kërkesave politike për avansimin e statusit politik të Kosovës, që pas përpjekjeve dhe sakrificave u kurorëzua me çlirimin dhe pavarësinë Kosovës”, ka shkruar Thaçi.
Edhe kryeministri Haradinaj është shprehur se mijëra studentë me 11 mars zgjodhën rrugën e paqes për të kundërshtuar shtypjen e pabarazisë. Në 38 vjetorin e demonstratës, Haradinaj thotë se kujtojnë të gjithë ata që guxuan të kërkonin atë që iu takonte.
“Demonstrata e 11 marsit ‘81 shënon një epokë vendimtare në historinë më të re të Kosovës. Mijëra studentë zgjodhën rrugën e paqes për ta kundërshtuar shtypjen dhe pabarazinë. Në përvjetorin e demonstratave studentore, kujtojmë të gjithë ata që guxuan të kërkonin atë që iu takonte, të drejtën e tyre, dhe që i dolën zot këtij vendi, në rrugën drejt çlirimit”, shkruan Haradinaj.