Aktuale

Thaçi: Dhuna nga përfaqësues institucionalë është turp

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha sot se shoqëria është më e polarizuar, e fragmentuar politikisht, dhe çdo gjë ka filluar të politizohet skajshëm.

Në fjalimin e fund vitit që presidenti ka zgjedhur ta mbajë para ushtarëve të FSK-së tha se e kupton se sa sfiduese është për të gjithë ata që kanë kontribuuar për këtë gjendje.

“Ata duhet të gjejnë forcën dhe ta tejkalojnë këtë model të ndarjes dhe përçarjes. Spektri politik në Kosovë mund të mos të pajtohet për çështjet të caktuara, por ne nuk guxojmë që të humbim qoftë edhe një minutë duke lejuar degradimin e mëtutjeshëm të debatit. Dhuna nuk ka vend në Kosovë. Aq më tepër, dhuna në institucione dhe nga përfaqësues institucionalë është turp dhe nuk mund të justifikohet me asgjë. Fatkeqësisht, kjo qasje shkatërrimtare e brendshme e ka dobësuar dhe po e dobëson vendin tonë. Sulmet ndaj institucioneve, dëmtimi i pronës publike e private, duele fizike të deputetëve, janë ndër fatkeqësitë më të dhimbshme sot”, tha Thaçi.

Ai tha se pasojat janë shumë më të mëdha se titujt sensacionalë që këto situata prodhuan si brenda edhe jashtë vendit.

“ Prandaj, lutja ime për të gjithë është që të distancohen nga ky lloj i sjelljes dhe të punojnë për ndërtimin e urave të komunikimit dhe bashkëpunimit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se në Kosovë sot me lehtësi të madhe vihen në pikëpyetje dhe përdoren për politikë ditore çështje të interesit të përbashkët shtetëror.

“Ne urgjentisht duhet ta rindërtojmë konsensusin nacional për çështjet e interesit të përbashkët. Unë, si president do të vazhdojë të bëj përpjekje të vazhdueshme, që këtë element të përgjegjësisë sime ta respektoj dhe kultivoj në çdo aspekt të ushtrimit të funksionit tim. Janë disa gjëra që nuk do të duhej të varen nga ajo se kush është duke qeverisur e kush është në opozitë. Në tema të caktuara, qytetarët tanë janë të vendosur dhe unik. Uniteti i qytetarëve duhet të rezultojë në unitet të përfaqësuesve të tyre”, ka thënë Thaçi./KosovaPress/