Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se e veçanta e vitit që po lëmë pas ka qenë krijimi i një momentumi të ri ndërkombëtar për mbylljen e çështjeve të hapura në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka theksuar se kjo ka ndihmuar edhe në përshpejtimin e arritjes së një konsensusi të brendshëm në Kosovë.
Thaçi ka thënë se edhe partitë opozitare duhet ta marrin rolin që u takon në procesin e dialogut me Serbinë pasi, sipas tij, është i rëndësishëm dhe historik për Kosovën.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, presidenti ka bërë me dije se arritja e një marrëveshje paqësore me Serbinë që do ta sjellë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohjen nga Serbia është ambicia kryesore për vitin 2019.
“Nuk ka kontura të marrëveshjes dhe do të jetë delegacioni shtetëror për dialogun që do të negociojë deri në detaje marrëveshjen. Por, ajo që dihet është se çfarë kërkon Kosova nga ky proces dhe kjo është njohja reciproke me Serbinë dhe ulësja për Kosovën në Kombet e Bashkuara. Letra e Presidentit Trump është shumë inkurajuese dhe vë një konturë tjetër kohore për arritjen e marrëveshjes. Letra e bën të qartë se ka një momentum të ri dhe fton që ky momentum të shfrytëzohet dhe marrëveshja të arrihet në pranverë. Për më tepër, letra thotë se nëse e humbim këtë rast. Ky do të thotë kthim tragjik prapa dhe tërheq vërejtjen se nuk dihet se kur do të vijë një rast i tillë përsëri. Prandaj, letra duhet të merret seriozisht nga të gjithë në Kosovë dhe të veprojnë në përputhje me të”, ka thënë Thaçi.
Sipas tij, marrëveshja do të përmbajë njohjen e Serbisë për Kosovën dhe ulësen e Kosovës në OKB.
“Marrëveshja duhet ta sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe ulësen e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, do t’i definojë edhe të gjitha çështjet e tjera të hapura në mes dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë e atillë që të gjitha palët të ndihen fitimtare nga ky proces, pra jo vetëm Kosova, por edhe Serbia si dhe bashkësia ndërkombëtare. Unë kam kërkuar që në këtë proces të përfshihet edhe Lugina e Preshevës dhe të kërkohet që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit vazhdon ta insistojë në idenë e tij se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës. /FaktePlus