Aktuale

Thaçi: Demonstratat e 81-shës, reagim për të drejtat e popullit shqiptar

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke kujtuar demonstratat e vitit 1981, ka thënë se prej 11 marsit 1981 deri në qershor 1999, Kosova ka kaluar nëpër ngjarje historike që vërtetuan drejtësinë e kërkesës për përparimin e statusit politik dhe juridik të Kosovës.

Ai në facebook ka shkruar se demonstrata e 11 marsit 1981 ka hyrë në kalendarin e datave historike të Kosovës si reagim i rinisë studentore për avancimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të popullit shqiptar nën ish-Jugosllavi.

“Pas demonstratës së 11 marsit në Prishtinë, pasuan të tjerat edhe më të mëdha, gjithëpërfshirëse, në qendra të tjera të Kosovës, duke artikuluar fuqishëm kërkesën për Republikën e Kosovës. E tëra kulmoi me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Sot, Kosova është shtet i lirë, i pavarur e demokratik, republikë parlamentare me synime të qarta dhe perspektivë të sigurt euroatlantike”, ka shkruar ai./KosovaPress/