Aktuale

Thaçi: Çështja e të pagjeturve të mos politizohet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se është e papranueshme që edhe 18 vjet pas përfundimit të luftës nuk është zbardhur fati i personave të pagjetur dhe ka kërkuar që kjo çështje humanitare nuk duhet të politizohet.

Ai këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Qendra Burimore për Personat e Pagjetur me temën “Sfidat në identifikim”, ku është folur rreth punës që po bëhet për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Kreu i vendit me këtë rast është zotuar se personalisht do të angazhohet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, në mënyrë që të përmbyllet një herë e përgjithmonë ky kapitull i dhimbshëm.

“Është e dhimbshme dhe e papranueshme që tërë këto vite që nga fundi i luftës ende nuk është zbardhur fati i gjitha viktimave. Çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe politika qoftë vendore, qoftë ndërkombëtare duhet të qëndrojë larg saj teme, pra të mos e politizojë. Si protokolist i zhvillimeve politike në vend, por edhe në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, kam qenë dhe mbes i angazhuar që çështja e të pagjeturve të trajtohet dhe të mbyllet drejt dhe me urgjencë. E përsëris edhe sot, se personalisht do të angazhohem si president edhe më fuqishëm që të zbardhen fati i të gjithë të pagjeturve në Kosovë dhe të mbyllet ky kapitull i dhimbshëm”, tha Thaçi.

Presidenti Thaçi po ashtu ka thënë se për viktimat dhe gjithë shoqërinë është e nevojshme edhe përmbushja e së drejtës për drejtësi, dhe ka kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë që të hetohen edhe krimet gjatë periudhës së luftës.

Udhëheqësi i grupit punues për të pagjeturit, Ibrahim Makolli, ka ngritur çështjen e identifikimeve të mundshme të gabuara të personave të pagjetur. Ai ka kërkuar nga instituti i mjekësisë ligjor që të hartojë një strategji dhe plan për t’iu qasur problemit të identifikimeve të mundshme të gabuara.

“Praktika ka treguar në disa raste për mundësinë e këtyre gabimeve, ne, ju të gjithë jemi të obliguar që ta trajtojmë seriozisht këtë temë dhe ti japim zgjidhjen meritore. Nuk presim të japim zgjidhje të menjëhershme, por të trasojë rrugën për një temë të ndjeshme, e cila do të vazhdojë të trajtohet nga ana e institucioneve, në mënyrë që përfundimisht ta tejkalojmë edhe këtë çështje që është jashtëzakonisht e ndjeshme për vetë faktin që një numër i viktimave, të cilat janë varrosur, në veçanti në fazën e parë pas përfundimit të luftës mund të kenë gabime në identifikim”, tha ai.

Makolli ka thënë se në këtë aspekt nevojitet bashkëpunim i ngushtë me familjarët e të pagjeturve për të përmirësuar gabimet lidhur me identifikim e gabuar të të pagjeturve.

Udhëheqësi i grupit punues për të pagjeturit në Beograd, Velko Odaloviq është shprehur i pakënaqur me rezultatet e deritanishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndërsa u bëri thirrje shoqatave për persona të pagjetur që të vazhdojnë punën për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Ai ka thënë se edhe në Gjenevë është diskutuar lidhur me këtë çështje, si dhe për mbështetjen e nevojshme, në mënyrë që të ketë rezultate më të mira në këtë drejtim.

“Pavarësisht asaj se çfarë është bërë deri më tash, ne nuk jemi të kënaqur me gjendjen aktuale. Kemi ngecje, e cila shkakton sfida te familjet e personave të pagjetur, kemi ngecje në marrjen e informacioneve të reja, nuk kemi ende në kapacitet të plotë mbështetjen dhe mirëkuptimin edhe të atyre, për të cilët jemi të sigurt se mund të ndihmojnë me informacione, mendoj për përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët në këto hapësira kanë pasur rol vendimtar dhe pushtet faktik”, ka thënë ai.

Kryetari i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini ka thënë se në takimet për persona të pagjetur të mbajtura në Gjenevë kanë qenë të përfshirë edhe familjarët, mirëpo sipas tij nuk kanë dashur të ndryshojnë strategjinë.

“Bisedat të cilat kanë qenë me zëvendësinë e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar aty u pa që aty ka marrë pjesë, Veljko Odaloviq, Ibrahim Makolli, Bajram Qerkini dhe Milloradi tjetër kush nuk ka qenë, aty u pa që do të donë ta shtyjnë procesin ende grupet punuese ashtu siç është, por me një mundësi të përkrahen edhe prej prokurorëve dhe të kenë gjithmonë sa herë që flitet për të pagjeturit të marrin pjesë edhe familjarët, gjë që nuk ka qenë deri tash. Mirëpo nuk kanë dashur ta ndryshojnë strategjinë“, tha ai.

Ndryshe përfaqësues të familjeve të personave të zhdukur kanë marrë pjesë në Konferencën e Gjenevës me 29 dhe 30 korrik, dhe kërkesa e tyre ka qenë që të caktojnë një përfaqësues të lartë për t’i dhënë fund vuajtjes së tyre. /KP/