Aktuale

Teuta Rugova nuk do ta votojë Ramush Haradinajn

Teuta Rugova nuk do ta votoj Ramush Haradinajn për kryeministër të vendit. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë gazetës “Zëri”, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri. Sipas tij, Teuta e ka bërë të qartë vendimin e saj se votën nuk e ka ndarë nga LDK-ja.

Lexoni një pjesë të përgjigjes së Lutfi Haziri:

Zëri: Cili është komenti juaj për marrëveshjen e Teuta Rugovës me Ramush Haradinajn?

Haziri: Ne nuk kemi bërë marrëveshje. Ajo është vizitë e z. Haradinajt në familje dhe është vizitë që është publikuar e është përcjellë me interesim jashtëzakonisht të madh dhe unë nuk dal jashtë asaj që ka thënë znjsh. Rugova se ajo mendon se koalicioni PAN e ka një mandatar, i cili kërkon qeverisje gjithëpërfshirëse, nuk thotë që të votohet kandidati i PAN-it. Teuta thotë për një qeveri gjithëpërfshirëse dhe votën e saj nuk e ka ndarë nga LDK-ja kështu që unë pres në seancë ajo të tregojë a e konfirmon deklarimin e saj apo ka ndryshuar nga ky qëndrim. Deri më sot ajo ka thënë që nuk e distancon votën e vet prej Grupit Parlamentar të LDK-së. Familja e Rugovës ka një peshë të rëndësishme për LDK-në, por unë bëj thirrje që të mos përzihen këto dy çështje se Kryesia e LDK-së vendos e pavarur nga këto ndikime dhe nga këto spekulime që dalin. Familja e Rugovës, e Adem Jasharit, familje të mëdha në këtë vend nuk duhet të shfrytëzohen politikisht nga askush e aq më pak nga njerëz, të cilët pretendojnë të ndërtojnë konsensus politik dhe qeverisje të qëndrueshme në këtë vend.

the authorE B