Sport

Tetova mbetet pa zgjidhje për ujin deri në fund të vitit

Banorët e Tetovës edhe këtë vit do ta përmbyllin pa u zgjidhur problemi me ujin e pijshëm. Deri në fund të vitit pritet të vendosen filtrat, ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm do të filloj testimi i sistemit të ri të ujësjellësit. Kryetarja e Tetovës Teuta Arifi zvarritjen e zgjidhjes së problemit e arsyeton me atë se ujësjellësi është problem i vjetër dhe nuk ka mundur të rregullohet për një kohë të shpejtë.

“Shpresohet që deri në fund të vitit të vinë filtrat dhe të montohen dhe mandej të fillojë edhe procesi i testimit. Unë këtë çështje e llogaris për çështje që është në fund, dhe kam thënë njëherë që qytetarët e Tetovës këtë temë që padrejtësisht i ka mbajtur për më shumë se një dekadë, afër dy dekada peng e kanë çështje e cila është e mbyllur. Me përfundimin e stacionit të filtrimit do fillojë edhe funksionaliteti i plotë i saj”, deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arfi.

Ndërkohë banorët e Tetovës janë shprehur të lodhur nga moszgjidhja e problemit dhe premtimet e njëpasnjëshme.

“Para zgjedhjeve mund të ndodh çdo gjë por, duke parë praktikat e kampanjave parazgjedhore në vitet e kalume, premtimet më duket se do ngelin boshe edhe sivjet. Unë nuk besoj se do lëshohet ujësjellësi, edhe sivjet do mbetet vetëm premtim siç ka mbet viteve të tjera, një premtim parazgjedhorë që të mblidhen ca vota, por besoj që këtë radhë nuk do mbledhin asnjë votë duke dhënë premtime boshe”.

“Ata do bëjnë çmos tani për vota, mund të premtojnë edhe diçka ende më të madhe. Jemi lodh ma por edhe jemi mësuar më kështu, ne mbetëm duke kërkuar gjëra elementare, ujë ushqim ekzistencë”.

“Jo para zgjedhjeve nuk bëhet por në të ardhmen do të bëhet sepse nuk mund të premtohet diçka sot dhe nesër të bëhet kuptoni”.

“Për interes e për vota mund ta lëshojnë, popullata u mësu me këto mashtrime çka të bëj”.

Ujësjellësi i Tetovës ka filluar të ndërtohet 18 vite më parë, dhe për të njëjtin, deri më tani janë ndarë mbi 20 milion euro.