Aktuale

Tërmkolli deputetëve: Mësoni gjuhën shqipe

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, së fundmi, jo rrallëherë po dëshmojnë që gjuha e komunikimit mes tyre mund të kaloj të gjitha limitet. E këto forma të komunikimit në institucionin më të lartë të shtetit, po e pengojnë vetë anëtaren e saj, deputeten Melihate Tërmkolli.

Ajo ka kërkuar sot nga kolegët e saj që ta mësojnë më mirë gjuhën shqipe, pasi gabimet që po i bëjnë në të folur janë të pakuptimta. E gjithë kjo erdhi pasi kryeparlamentari Kadri Veseli pati një tjetër situatë ngatërrimi emrash.

“Zonjës Tërmokolli ia ka përmend emrin…A gabova prapë a? Kërkoj falje nëse kam gabua”, tha Veseli.

Melihate Tërmkolli i këshilloi deputet që ta mësojnë gjuhën më mirë, pasi që në Kuvend ka ‘deficit’ të njohjes së gjuhës shqipe.

“Kemi deficit të njohjes së gjuhës shqipe. Ju kisha lutur deputet të dashur, mësoni kapak gjuhën shqipe, shqiptarët edhe tjerët gjuhen e vet. Leksioni, leksikoni, Tërmkolli, Tërmokolli. Kryetari e ka mësua më në fund”, tha ajo.

Ndryshe me 59 për 7 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi emëroi Haxhi Dërgutin, anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës me mandat dy vjeçar. Kundër këtij emërimi ishte Vetëvendosje. Albulena Haxhiu, nga VV, u bëri thirrje deputetëve të mos e votojnë kandidatin e propozuar nga kryeprokurori Aleksandër Lumezi. Ajo tha se propozimi është i papranueshëm, pasi që Dërguti nuk është kandidat i denjë për këtë post. Ndërsa i bëri thirrje kryeprokurorit të shtetit që të jetë më seriozë karshi Kuvendit dhe të mos tallë deputetët me propozime të tilla.

“Për ne si grup parlamentar, propozimi që na ka ardh nga kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi është i papranueshëm. Ne mendojmë se z. Haxhi Dërguti nuk është kandidat i denjë për të përfaqësuar zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në Këshillin drejtues të IGJK-së. Përveç tjerash që nuk po dua ti përmend këtu, për një fakt tjetër që deputetët e kanë para vetës…ju kisha lut që të shihni CV-në e këtij kandidati që na ka propozuar Aleksander Lumezi. Me një CV që i ka diku dy fleta, i ka diku 30 gabime drejtshkrimore. Është për keqardhje se po flasim për një kryeprokuror të apelit U.D që s’di ta shkruaj as fjalën Kosovë”, tha ajo.

Në mungesë të votave, Kuvendi nuk mundi ta zgjedh zëvendësdrejtorin e Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit. /KP