Të gjithë punonjësit në Ambasadën e Serbisë në Shkup janë tërhequr për konsultime urgjente në Beograd, transmetojnë mediat serbe.
Ambasadorja Dushanka Divjak Tomiq dhe personeli, siç është thënë, kanë arritur mbrëmë në Beograd.
Detajet se për çfarë bëhet fjalë do t’i bëjë të ditur sot gjatë ditës shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq.
Mediat maqedonase transmetojnë se Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka marrë një notë nga Ambasada e Serbisë në Shkup, me të cilën janë njoftuar se personeli i ambasadës është thirrur për konsultime në Beograd.
“Ministria e Jashtme nuk është e njohur me arsyet e këtij vendimi”, thuhet ndër të tjera në kumtesë.
Sipas televizionit Telma, ambasada serbe, duke u thirrur në konventën e Gjenevës, ka kërkuar nga autoritetet maqedonase që të shtojnë sigurinë e Ambasadës së Serbisë në Shkup.
Televizioni raporton se para ndërtesës së ambasadës nuk po ndodh asgjë e pazakontë dhe nuk ka prani të shtuar të policisë.