Aktuale

Telekomi me 31 milionë euro humbje

Në një raport të brendshëm mbi ndërmarrjet publike Qeveria e Kosovës ka alarmuar për gjendje të rëndë financiare në Telekomin e Kosovës. Ndërmarrja e mbylli vitin 2016 me 31 milionë euro humbje dhe pati rënie të madhe të konsumatorëve. Ekspertët thonë se nëse nuk merren masa urgjente Telekomin e pret falimentimi, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Telekomi i Kosovës (TK), dikur ndërmarrja publike më profitabile në vend, po shkon drejt falimentimit.

Sipas një raporti të brendshëm të aksionarit, Qeverisë së Kosovës, Telekomi i Kosovës e ka mbyllur vitin 2016 me një humbje prej 31 milionë eurosh, ndërsa ka pasur edhe rënie të madhe të numrit të konsumatorëve.

“Telekomi i Kosovës SHA vitin 2016 e ka përfunduar me rezultat negativ financiar me rreth 31.311.000 euro”, thuhet në raportin “Përformanca e Ndërmarrjeve Publike për vitin 2016”, i hartuar nga Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).