Psikologu Naim Telaku ka thënë se çështja e dënimit të të miturve që kryejnë vepra penale është rregulluar me Ligj por që në praktikë lë për të dëshiruar.
“Unë mendoj që problematika e tillë në aspektin rregullativ është e rregulluar por në aspektin praktik s’e kemi të rregulluar si duhet, nuk kemi institucione të mirëfillta për fëmijë”.
Telaku që është i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka marrë shembuj krahasues edhe me vendet e tjera.
“Nëse shohim statistikat prej vendeve të tjera, shumica e të burgosurve të mitur përfundojnë të abuzuar, shumica e të burgosurve të mitur, gati rreth 80 % përfundojnë si të dënuar recidivistë, kjo tregon më shumë për problematikën e sistemit të korrektimit”.
“Një zgjidhje është burgosja e tyre por kjo është më shumë zgjidhje hakmarrëse por që nuk ka efekt”.
Ai ka paraqitur edhe atë që mendon se do të ishte mirë të veprohet për të miturit që kanë tendenca për të kryer vepra penale.
“E domosdoshme është të ketë bashkëpunim mes Ministrisë së Edukimit dhe Shëndetësisë. Personat që mund të kenë tendenca për sjellje të tilla ekstreme, këto sjellje mund të identifikohen herët sepse karakteri, temperamenti e tregojnë këtë dhe në rast të pranisë së profesionistëve mund të identifikohen rastet e tilla”.