Shëndetësi

Të ushqehesh shëndetshëm, nuk do të thotë të shpenzosh shumë

Nëse do të ushqeheshim sipas këshillave të mjekëve, apo dietologëve, sigurisht që buxheti në fund të javës do të arrinte një shifër goxha të lartë, për mundësitë e shumicës së njerëzve.

Frutat ekzotike, të njohura për vlerat e tyre, por edhe produktet e mishit, bulmetit dhe madje edhe ato të brumit nëse janë plotësisht natyrale kanë çmime më të larta sesa të tjerat.

Edhe produktet e supermarketeve në sektorin e ushqimeve bio, kushtojnë shumë më tepër sesa të ngjashmet e tyre jobio.

E pra, nëse çdo përbërës dhe çdo vakt do ishte organik, atëherë buxheti do ndiente një shtrëngim shumë të fortë. Kështu që njerëzit mbyllin një sy dhe vazhdojnë me produktet normale, duke e konsideruar ushqimin e shëndetshëm si luks.

Por në të vërtetë nuk është e pamundur. Mjafton të dish të bësh zgjedhjet e duhura. Në një intervistë, Gwyeneth Paltrow, e njohur për jetën e saj të shëndetshme, ka shpjeguar që të ushqehesh pastër, nuk do të thotë gjithmonë të ushqehesh shtrenjtë.

Ajo është pyetur pikërisht nëse do të kishte 15 £ në dispozicion për një darkë për familjen, çfarë përbërisish do zgjidhte.

“Ushqim meksikan. Nuk është i shtrenjtë dhe është i pastër. Mund të marrësh tortilla misri. Pak selino, qepë, speca të kuq. Dhe ca proteina, mjafton një kanaçe me fasule”, është përgjigjja e saj.

Paltrow rekomandon t’i blejmë produktet në dyqan me ushqim bio.

“Diku ku mund të marrësh produkte organike të cilësisë së mirë, por nuk është e thënë, nëse ble avokado nuk ka pse të jetë domosdoshmërish organik. Lëkura është kaq e trashë, sa thuhet që nuk është e nevojshme që ai të jetë bio”, thotë ajo për avokadon që ka lëkurë të trashë që nuk përshkohet nga pesticidet dhe konsumohet i qëruar.