Aktuale

Të shtunën lëshohet për qarkullim një pjesë e autostradës “Arbër Xhaferi”

Në ditën e fundit të këtij viti, kosovarët mund të shfrytëzojnë një pjesë të autostradës “Arbën Xhaferi”, e cila pas shumë pritjesh do të lëshohet për qarkullim.

Ministri i këtij resori, Lutfi Zharku ka pranuar se ka kohë që ky segment është kryer, por është shtyrë për shkak të bisedave rreth buxhetit që do të paguhet për ndërtimin e kësaj autostrade.

Në konferencën e fundvitit, Zharku ka bërë të ditur se nga 199 milionë euro sa e kishin buxhetin këtë vit, 148 milionë euro prej tyre kanë shkuar në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit ,raporton KTV.

Zharku ka garantuar se pavarësisht përpjekjeve, Serbia nuk do të marrë kontrollin e hapësirës ajrore të vendit, për të cilën teknikisht janë të përgatitur, por që duhet bindur NATO.

Vitin e ardhshëm Zharku ka thënë se do të nisë ndërtimi i autostradës 47-kilometërshe Prishtinë-Gjilan-Konçul, ashtu siç mund të pritet të nisë edhe ndërtimi i autostradës Ibrahim Rugova nga Besian në Merdare.

Zharku ka deklaruar se janë bërë shumë investime në rrugë nacionale dhe ato komunale, ndërkaq me ndryshimin e rregullave të trafikut është ulur numri i aksidenteve me fatalitet.