Drejtoria e Policisë të Qarkut të Lezhës ka bërë të ditur se sot ka pasur të shtëna me armë zjarri në Shëngjin, por nuk është konfirmuar nëse ka persona të plagosur me këtë rast.
Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 10:15, në rrugën kryesore midis shkollës 9- vjeçare Shëngjin dhe restorantit “Detari”.
Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur një gëzhojë armë zjarri.
Për më tepër, policia bën të ditur se në spital nuk ka arritur asnjë person për të kërkuar ndihmën mjekësore.
“Te spitali nuk ka mbërritur asnjë person për ndihmë mjekësore. Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F.D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të ngjarjes”, thuhet në raportin e policisë, sipas së cilës procesi i votimit është duke vijuar pa probleme.