Aktuale

Të rinjtë myslimanë: Puçistët terroristë, ky grup përbën rrezik edhe në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni

Forumi i të Rinjve Myslimanë në Kosovë, me anë të një komunikate ka dhënë mbështetje presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan ndërsa ata që tentuan ta rrëzojnë atë nga pusheti i quajnë terroristë.

“FRM ka parë me shqetësim se si grupe terroriste që nuk kursyen as vrasjen e civilëve, deshën ta merrnin pushtetin me dhunë në Turqi për ta nënshtruar shtetin e Turqisë ndaj grupeve apo shteteve që nuk ua duan të mirën e qytetarëve mysliman”, thuhet në një komunikatë për media.

Në këtë komunikatë ky forum shpreh gëzimin që “ ky grup ka dështuar për ta marrë pushtetin në mënyrë jo demokratike, dhe përgëzon popullin turk për rivendosjen e qetësisë dhe paqes në vendin e tyre”.

Por Forumi Mysliman shpreh shqetësimin se në Kosovë dhe Shqipëri dhe në Maqedoni është një grup terrorist ku siç thonë ata ka ndikim në disa media dhe politikanë.

“Grupi terrorist është i vendosur në Kosovë dhe Shqipëri dhe një pjesë të Maqedonisë me një ndikim të keq mbi mediat ku dhe kontrollon disa politikanë, të cilët në momentin që po bëhej grusht shteti dolën dhe mbrojtën ushtarakët të cilët vjedhën nga depot e shtetit armët dhe iu kthyen popullit duke i vrarë”.

FRM shqetësohet nga këto medie dhe këta politikanë, pasi që në zemrat e tyre mund të jetë i fshehur krimi ashtu njëjtë siç ishte i fshehur nga patronët e tyre në Turqi ku një ditë mund të presim një masakër ndaj popullatës civile në Kosovë vetëm për të marrë pushtetin, thuhet më tej në komunikatë.

“FRM gjithashtu apelon qeverisë së vendit që të ndaloj fondet e këtij grupi në Kosovë e Shqipëri t’i mbyllë shkollat e tyre dhe t’i mbyllë organizatat e tyre”.

“Sepse ne kemi frikë që paratë të cilat ky grup mbledh në Kosovë mund të shkojë si financim në masakrat që i bënë ndaj popullit turk”, thuhet në komunikatë.