Rajon & Botë

Të paktën 49 arrestime gjatë operacioneve të policisë kundër PKK-së

Të paktën 49 persona, duke përfshirë drejtues të partisë kryesore pro-kurde u arrestuan në pjesën lindore dhe juglindore të Turqisë për “propagandë terroriste” që lidhet me rebelimin kurd të PKK-së, njoftuan sot burime të sigurisë.

“Të 49 personat u arrestuan për “propagandë terroriste” dhe pjesëmarrje në një “grup terrorist” gjatë operacioneve të kryesuara kundër PKK-së (Partia e Punëtorëve të Kurdistanit) në rajonet Hakkari (juglindje) dhe Van (lindje)”, bëri të ditur për median një zyrtar në anonimat.

Në mesin e personave që janë nën mbikëqyrjen e policisë renditen zyrtarë lokalë të Partisë demokratike të Popullit (HDP), e akuzuar nga qeveria turke për lidhje me PKK-në.

PKK-ja një organizatë e konsideruar si terroriste nga ana e Turqisë, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja po ndërmerr prej 32 vitesh një sërë aktesh të dhunshme kundër Shtetit turk në pjesën juglindore të vendit, që ka rezultuar fatale me mbi 40.000 viktima. Pas një armëpushimi të brishtë dy vjeçar, dhuna është përshkallëzuar prej vitit të kaluar.