Rajon & Botë

Të paktën 30 civilë afganë vriten nga sulmi ajror i forcave amerikane

Zyrtarët afganë kanë thënë se të paktë 30 civilë janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave amerikane në provincën jugore të Helmandit, e cila është bastion i talebanëve. Misioni i NATO-s në Afganistan tha se forcat afgane dhe amerikane u sulmuan nga talebanët një ditë më parë, prandaj e ndërmorën sulmin ajror.
Forcat tokësore thanë se nuk kanë qenë në dijeni për praninë e civilëve në zonën e sulmuar. Një zyrtar lokal tha se forcat afgane kanë kërkuar që të kryhet një sulm ajror, i cili më pas shkaktoi viktima në mesin e talebanëve dhe civilëve. Në këtë sulm besohet se janë vrarë 16 talebanë, ndërsa nuk dihet ende saktë numri i viktimave në mesin e civilëve.

Kombet e Bashkuara kanë deklaruar mujin e kaluar se numri i civilëve të vrarë nga sulmet ajrore në nëntë muajt e parë të këtij viti është më i madh se në çdo vit tjetër, llogaritur nga viti 2009. Vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2018, forcat amerikane kanë lëshuar 5,213 bomba nga ajri mbi caqet e ndryshme në Afganistan. Ky numër është duke u rritur për të tretin vit radhazi, shkruan “Evropa e Lirë”, transmeton Gazeta Express.