Të hënën do të thirret seancë e jashtëzakonshme për të diskutuar për kërkesat e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës dhe për nxjerrjen e një rezolute për të ndihmuar banorët e kësaj ane.
Kështu është vendosur në Komisionin për Arsim, në takimin që kanë mbajtur me anëtarët e Komisionit për Administratë Publikë, pas vizitës që i kanë bërë Luginës së Preshevës.
Deputetët thanë se nga ajo vizitë kanë pranuar kërkesa të shumta nga përfaqësuesit shqiptarë atje, ku ndër to është edhe bashkimi i Luginës me Kosovën, në negociata me Serbinë të shtrohet çështja e tyre dhe që Kosova të ndihmojë me projekte banorët që jetojnë atje.
Kryetari i komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, tha se për të ka qenë e papranueshme që gjatë shkuarjes në Preshevë në kufi është dashur të bëhet ndërrimi i tabelave të veturës zyrtare, ku ai bëri të ditur se kanë udhëtuar pa tabela.
Ai tregoi se në takim kanë pasur kërkesë që të punohet që Lugina të bashkohet me Kosovën.
“Në Bujanoc kemi takuar Këshillin Kombëtar, me kërkesat që na kanë bombarduar me kërkesa deri tek bashkimi me Kosovën. Ne kishim shkuar për vizitë me e pa gjendjen e tyre ata që politika e Kosovës i ka shti në grackë, i ka detyruar të marrin jo këtë anë jo atë anë, e cila në një formë është presion politik për migrim, për shpërngulje nga ato treva. Për shkak se disa kanë thënë do ta ndajmë kufirin, do ta ndajmë atë pjesë, disa kanë thënë që do të bashkohet komplet, disa ashtu disa kështu, kështu që është bërë një presion shumë i madh dhe ata janë në huti”, deklaroi ai.
Një nga kërkesat ai tha se ka qenë edhe dhënia e shtetësisë banorëve të cilët janë shpërngulur në Kosovë nga Lugina e Preshevës.
Ai tregoi se një problem me të cilët po përballen shqiptarët atje është largimi që po u bëhet nga regjistrat e shtetit të Serbisë.
“Neve në administratë asamblistët që ishin aty, nënkryetarja, na thanë që kemi pengesa në administratë për shkak të fshirjes së emrave nga regjistrat, nga ato regjistra që Serbia shkon i lyp nëpër shtëpia ku nuk janë i bënë pasive. Kjo do të thotë që ai numër i vogël që kanë mbetur diku rreth 600, 700 persona atje edhe ai është në rrezikim për zhdukje. Ky është një presion politik në vazhdimësi i Serbisë ndaj shqiptarëve në heshtje për shpërngulje. Kërkesa ka qenë që institucionet e Kosovës me bë më shumë edhe tek pika kufitare me pas lëvizje më të lehta edhe tek administrata dhe tek punësimet”, tha ai.