Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të enjten e kaluar, tani duhet që të miratohen edhe shtatë ligjet për institucionet e drejtësisë në mënyrë që Reforma të fillojë të funksionojë.
Prej dy ditësh po përflitet për një seancë tjetër ditën e enjte ku të miratohen shtatë ligjet, megjithëse Partia Demokratike nuk ka marrë pjesë në komisionin e posaçëm kur draftet janë diskutuar. Për këtë arsye “panorama.al” pyeti ambasadën amerikane nëse ka një kërkesë drejtuar Parlamentit që të enjten të zhvillohet seanca e radhës për Reformën në Drejtësi.
“Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi miratimin e shtatë ligjeve dhe zbatimin e plotë të Reformës nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent gjatë javëve që vijnë”, bëri të ditur zyra e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Ndërkohë, Top Channel raporton se Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë kishte kërkuar në rrugë jozyrtare miratimin e ligjit të Vettingut brenda muajit korrik për shkak se mund të digjej një fond i akorduar nga BE. Lidhur me këtë kërkesë kreu i grupit të PD-së, Edi Paloka tha se “Kemi biseduar me zotin Ruçi dhe kemi rënë dakord që 25 korriku të jetë seanca e fundit e këtij sesioni. Në Grupin Parlamentar të PD-së nuk ka asnjë kërkesë nga askush për të mbledhur seancën plenare”.