Aktuale

Të arrestuarit në veri janë zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se tre të arrestuarit në pjesën veriore të Kosovës janë zyrtarë policorë të cilët dyshohet se kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

Aksioni i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve në bashkëpunim me Policinë e Kosovës arrestuan sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut tre zyrtarë policorë.

Sipas IPK-së, operacioni i sotshëm që u zhvillua me urdhëresë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është vazhdimësi e operacionit të zhvilluar në muajin maj të këtij vitit të koduar me emrin “Kontrabanda”.

“Arrestimi i tre të dyshuarve (një toger policor, një rreshter dhe një zyrtar policor) është realizuar me urdhëresë të Prokurorisë Speciale me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Krim i organizuar” dhe “Keqpërdorim i pozitës zyrtare””, thuhet nga IPK.

Bëhet e ditur se të arrestuarit do të intervistohen nga hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent.

Me tri arrestimet e sotshme, gjithsej numri i zyrtarëve policorë të arrestuar gjatë këtij operacioni ka shkuar në 25 sosh./FaktePlus