Rajon & Botë

Talibanët vrasin një ushtar amerikan në Afganistan

Grupi militant i talibanëve tha se e ka vrarë një pjesëtar të forcave amerikane në Afganistan. Ky grup i publikoi pamjet e një çante të gjakosur dhe letërnjoftimin e ushtarit si dëshmi për deklaratën e tyre.

Ushtria amerikane tha përmes një deklarate se një pjesëtar i forcave të saj është vrarë në aksion, por nuk dha ndonjë hollësi tjetër për këtë rast, përfshirë emrin e ushtarit të vrarë.

Zabidullah Mujahid, zëdhënës i talibanëve, tha se ky grup e vrau një ushtar amerikan përmes një shpërthimi në provincën veriore të Kunduz-it.

“Luftëtarët tanë e kanë vrarë një pjesëtar të forcave amerikane dhe e kanë plagosur një ushtar afgan”, tha ky zëdhënës përmes një mesazhi, ku ishin bashkëngjitur edhe fotografitë e sulmit.

Rreth 20 mijë trupa të huaja, shumica amerikane, ndodhen në Afganistan si pjesë e misionit të NATO-s për trajnimin, ndihmën dhe këshillimin e forcave afgane. Disa forca amerikane kohë pas kohe kryejnë edhe operacione kundër terrorizmit.

Më shumë se 10 ushtarë të huaj janë vrarë në Afganistan vetëm gjatë këtij viti.

Forcat qeveritare afgane, të përkrahura nga ushtria amerikane, së fundi i kanë shpeshtuar operacionet kundër talibanëve në Kunduz, shkruan “Reuters”.

the authorGazetaKNN