Grupe të ndryshme të vallëzimit nga popullorja deri te hip-hopi, sot kanë sjellë një atmosferë ndryshe në sheshin “Zahir Pajaziti”, në kryeqytet. Atyre iu bashkëngjiten edhe qytetarët për ta festuar Ditës Botërore të Vallëzimit.
Organizatorja e këtij aktiviteti nga Evolucion Dance, Dafina Rudi ka thënë se kjo ditë i dedikohet qytetarëve të Prishtinës, ku ishin të ftuar të gjithë me moton “Prishtina Vallëzon”.
Sipas saj, 29 prill që nga viti 1982, festohet në gjithë botën, kurse, në Kosovë festohet që nga viti 2011, duke u mbledhur të gjitha shkollat e vallëzimit.
Rudi: Çdo vit e festojmë duke u mbledhur me të gjitha shkollat nga fusha të ndryshme (Video)
“Nga viti 2011, Evolution Dance është anëtare e saj dhe çdo vit e festojmë këtë ditë duke u mbledhur në këtë formë gjitha shkollat e vallëzimit me fusha të ndryshme nga vallet popullore.. baletit, vallëzimin modern, hip-hop, vallëzime latine dhe ato sociale…. Veçantia është se ne kryesisht i bëjmë në hapësira publike me qëllim që qytetarët me na u bashkëngjit, me shpresën që na bashkëngjiten dhe ku llojet e vallëzimit janë shumë të lehta për secilin. Qëllimi është që thjesht të paktën një herë në vit të kemi mundësi të kemi një aktivitet”, u shpreh ajo.
Benjamin Ibrahimi, koreograf i organizatës Urban Dance tha se sot prezent janë nga komuniteti turk, boshnjak, romë, serb dhe shqiptarë.
“Ne jemi kënaqur ë vijmë në Prishtinë, jemi çdo vit që vijmë këtu me prezantuar vallëzimin tonë, është vallëzim shumë stret show dhe hip hop” tha ai.
Erëza Grajqevci, valltare nga ansambli “Dëshmorët e kombit”, ishte e lumtur me mundësinë që iu është dhënë të rinjve të Kosovës.
“Në vallëzim jam që 5 vite, kështu që marrë pjesë shumë herë, nuk është e vështirë aspak sepse koreografin e kemi shumë të mirë dhe këtë punë e bëjë me shumë seriozitet dhe me shumë kënaqësi”, tha ajo.
Një valltare tjetër nga Peja, Rea Osamni, tha qe tre muaj të ushtron me vallëzim dhe për herë të parë po merr pjesë në vallëzime të tilla në shesh.
“Nuk ka qenë shume e vështirë sepse prej se e vogël më ka pëlqyer kjo gjë dhe kam mendu që është e drejt me u marrë” tha ajo.
Për nder të kësaj dite, në shumë vende të botës bëhen organizime të ndryshme nga shkollat e vallëzimit, profesionistë, individ dhe grupe të ndryshme të artit të vallëzimit./