Të hënën do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Këtë e ka bërë të ditur, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhje së Kryesisë.
“Ju njoftoj se 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë parashtruar kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për taksën të hënën në orë 11:00. Kjo kërkesë është miratuar dhe të hënën do të ketë seancë”, tregoi Osmani.
Seanca ishte kërkuar të mbahet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në krye me Ramush Haradinaj, i cili ishte edhe kryeminsitër në kohën kur e vendosën taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe BeH.
Megjithëkëtë, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme para mediave tregoi edhe vendimin dhe planin e tij që kishte bërë për të hequr taksën 100 për qind që ishte vendosur në nëntorë të 2018-ës. E që kjo taksë kishte ngritur presionin e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës, por që Haradinaj si kryeminsitër në atë kohë, nuk ishte tërhequr nga ky vendim.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që tarifa për lëndën e parë që vjen në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja, të hiqet nga data 15 mars.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se pas takimeve me Odat dhe Shoqatat e ndryshme të ndërmarrësve vendorë dhe pas analizës, ka vendosur që nga data 15 mars të hiqet taksa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja.
Ai ka thënë se pas kësaj kërkojnë nga Serbia ta ndalojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, duke shtuar se nëse pala serbe zotohet dhe dëshmon përkushtim të mirëfilltë dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave, duke filluar nga data 1 prill do ta heqë tarifën komplet për një periudhë prej 90 ditësh.
“BE ta vlerësojë lart heqjen e tarifës duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit. Nëse Serbia nuk e përfill qëndrimin e Kosovës dhe nuk fillon heqjen e barrierave, me fillim nga data 1 prill do të nisë zbatimi i reciprocitetit, njëherë me fushën e tregtisë e pastaj në fushën ekonomisë. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe 90 ditësh për heqjen e tarifës për lëndën e parë, atëherë Qeveria nga data 15 qershor do ta kthejë tarifën, deri në zbatimin e reciprocitetit”, ka thënë kryeministri Kurti.
Ai ka thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve për kalimin e barrierave ekonomike.
“Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet që prodhohen nga arritja e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar dhe ekonomik instalohet pas 15 qershorit”, ka thënë Kurti.