Takimi konsultativ i partive politike përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, megjithatë, PAN duke rikonfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme, dha një propozim që të mërkurën e javës së ardhshme të mbahet edhe një takim konsultativ, kurse të enjten ose të premten të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.
Takimi në mes subjekteve politike, i cili u refuzua nga Lëvizja Vetëvendosje, kësaj radhe është mbajtur në prani të mediave.
Aty subjektet politike akuzuan njëri-tjetrin për bllokim të procesit të formimit të institucioneve, derisa kryesuesi Adem Mikullovci tha se seanca e thirrur do të mbahet nesër në orën 10:00.Qëndrime të njëjta rikonfirmoi PAN-i, duke thënë se nuk do të marrin pjesë së seancat që caktohen në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim me partitë politike.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se nuk është mirë që të merren vendime dhe veprime të njëanshme për caktimin e seancave dhe mu për këtë arsye nuk do të jenë pjesëmarrës në seanca të tilla.Ndërsa shtoi se nuk do t’i respektojnë në pafundësi veprimet e Mikullovcit.
E Mikullovci tha se veprimet e tij janë sipas Kushtetutës.
Ndërkaq, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha se sjelljet e tilla, kanë qëllim zvarritjen e formimit të institucioneve.
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj tha se askush nuk mund t’i vë kushte PAN-it lidhur me kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Por Mikullovci insistonte që ai e ka caktuar seancën javën e kaluar në takimin konsultativ të mërkurën e kaluar.
E Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën tha se po shihet se në çdo rrethanë PAN me minoritete e përbëjnë shumicën parlamentare.
Megjithëse përfaqësuesit e PAN e konfirmuan mos pjesëmarrjen e tyre në seancën e nesërme, u kërkua nga ta që të propozojnë një datë se kur ata duan që seanca të mbahet.
Ilir Deda nga Alternativa kërkoi nga PAN që ta propozojnë një datë se kur duan ata që të mbahet seanca.E Korab Sejdiu nga AKR tha se vonesat janë të dëmshme dhe se ata janë të përkushtuar për të mos i lejuar vonesat e mëtutjeshme me arsyetime të pajustifikushme dhe se do t’i përdorin të gjitha mjetet juridike në dispozicion për t’i parandaluar vonesat e pafundme.
Por përfaqësues të PAN-it kërkuan dhe një takim konsultativ të mërkurën, për të caktuar seancën të enjten apo të premten e javës që vjen.
Por propozimi i PAN, nuk u qit në votim.
E Hoxhaj kërkoi nga ai t’i tregojë se a do të ftojë sërish seancë para të mërkurës së javës që vjen.
E Mikullovci tha se konsultat nuk i qojnë askund.
Ndërkaq Avdullah Hoti para mbylljes së takimit kërkoi nga kryesuesi që pas seancës së nesërme nëse PAN nuk do të jenë të pranishëm, të caktohet edhe një takim konsultativ.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve pakicë, të cilt kërkuan që sa më parë të gjetet zgjidhja për formimin e institucioneve./KosovaPress/