Aktuale

Tahiri takohet me përfaqësues të komunitetit me origjinë shqiptare në Liban

Ministrja për Dialog Edita Tahiri, po zhvillon një vizitë në Liban ku ka takuar përveç zyrtarëve shtetërorë, edhe përfaqësues të komunitetit me origjinë shqiptare

Tahiri ka qëndruar në vizitë në qytetin antik Biblos ku është pritur nga Shejh Ghassan Lakis, Myftiu i Biblosit, i cili kishte origjinë shqiptare. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe profesoresha Rouba El Helou Sensenig, po ashtu me origjinë shqiptare, e cila njoftoi ministren Tahiri se në Biblos jeton një komunitet i madhe me origjinë shqiptare, thuhet në njoftim.

Nga ata, ministrja Tahiri kërkoi angazhime për të promovuar Kosovën dhe kombin shqiptar në qarqet libaneze, ndërsa ata kanë ftuar Ministren për një vizitë të veçantë në Biblos në të ardhmen për të zhvilluar takime me libanezët me origjinë shqiptare që jetojnë në Biblos.

Gjatë kësaj vizite, Tahiri, ka zhvilluar takime me shumë personalitete nga sfera politike, akademike, fetare, shoqëria civile dhe mediat. Temë kryesore e këtyre takimeve ishte njohja me progresin e shtetit të Kosovës, si shteti më i ri i Evropës dhe eksplorimi i potencialeve për bashkëpunim në mes të dyja shteteve në fusha të ndryshme.

Ministrja Tahiri ka folur në këto takime për përparimet në ndërtimin e shtetit të pavarur, demokratik dhe sovran të Kosovës dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Ajo theksoi se vizioni për një Kosovë euro-atlantike po jetësohet përmes angazhimeve për reforma euroatlantike, të cilat me përkushtim po qeverisen nga Qeveria e Kosovës. Ajo potencoi se Kosova është një vend i mrekullueshëm i potencialeve ekonomike, turistike dhe ka një kapital të fuqishëm njerëzor prandaj bashkëpunimi me Libanin mund të sjellë dobi të dyanshme. Ajo po ashtu tregoi interesimin për bashkëpunim në sferat e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë.

Në këto takime ministrja Tahiri ka folur edhe për ngjashmëritë e historive të dyja vendeve, Kosovës dhe Libanit, në përpjekjet shumë vjeçare për pavarësi, liri dhe demokraci, duke thënë se, “njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Libanit ka rëndësi të madhe për Kosovën dhe do të ishte një kontribut për paqen dhe stabilitetin në rajon”.

Në takimin me udhëheqësit e Iniciativës për Dialog të Libanit (LDI) të Universitetit “Notre Dame”, z. Amin Nehme, dhe prof.Dr. Guita Hourani, ministrja Tahiri është angazhuar për inicimin e bashkëpunimit për të promovuar dialogun paqësor si dhe bashkëpunimin akademik për shkëmbim të përvojave, me theks mes shoqërisë civile të Kosovës me atë të Libanit. Ministrja Tahiri i njohu ata me potencialet akademike dhe shoqërisë civile të Kosovës, si dhe rolin e tyre në të gjitha fazat e bërjes dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ministrja Tahiri shprehu përkrahjen që Libani të marrë statusin e qendrës universale për dialog nga ana e OKB-së si një element shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e shteteve dhe rajoneve tona.

Ministrja Tahiri ka pasur edhe një takim me intelektualin dhe biznesmenin e mirënjohur libanez z. Ëilliam Zard Abou Jaoude, përfaqësues i familjes së mirënjohur elitare  Abou Jaoude dhe kryetar i bordit mbikëqyrës të LDI-së dhe Princeshën Druze Hayat Arslan, nga e cila ka kërkuar angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti i Libanit.

Në Universitetin “Notre Dame”, ministrja Tahiri është takuar me presidentin e saj z. Ëalid Moussa, me të cilin janë pajtuar për të iniciuar bashkëpunimin me universitetet e Kosovës, shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve si dhe përvojat në reformimin e sistemit arsimor universitar të dy vendeve.

Ndërsa, në takim me z. Bahij Tabbara, ish-ministër i Drejtësisë së Libanit, ministrja Tahiri ka kërkuar mbështetjen e tij në qarqet politike në Liban për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Ministrja Tahiri i ka takuar edhe udhëheqësit fetarë të shtetit të Libanit, si z. Shejh Malek al-Shaar, Myftiu i Tripolit. Ministrja po ashtu ka takuar një varg intelektualësh të Bejrutit, shkrimtaren dhe gazetaren e njohur Baria Ahmar, gazetaren Rita Sfeir, koordinatoren e këshillit të libanezëve të botës Regina Kantara, zëvendëskryesuesin e odës së kompanive tregtare dhe industriale të Libanit, Mansur El-Khoury, përfaqësuesin e Eko Atlantic Antonie Menassa, skulptoren Sanaa Matraji, zyrtaren e UNESCO-s Mona El-Zoghbi, etj.

Gjatë qëndrimit në Liban, ministrja Tahiri e shoqëruar nga këshilltari i saj kryesor politik, Dren Zeka, ka vizituar edhe konsullatën e përgjithshme të nderit të Republikës së Shqipërisë në Liban në qytetin e Tripolit, ku është takuar me konsullin e nderit z. Marc Ghorayeb, i cili e njohu ministren Tahiri me angazhimet e tij në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Libanit. Ministrja Tahiri dhe Konsulli Ghorayeb u pajtuan për një lobim më dinamik në Liban pas formimit të qeverisë atje dhe angazhimet tjera për bashkëpunime kulturore dhe ekonomike në mes të shtetit të Kosovës dhe Libanit.