Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se përpjekjet diplomatike serbe rreth çështjes së Trepçës janë të kota dhe “Don kishoteske”.
Sipas Tahirit, 23 vende anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ata e dinë se Kosova vendos për pronat dhe pasuritë e veta.
Ajo në një intervistë për RTK-në, tha se sikurse Stojanoviq ashtu edhe dy ministrat serbë kanë shkelur kushtetutshmërinë e Kosovës me shkuarjen e tyre në Bruksel, dhe se ata duhet të thirren në përgjegjësi.
“Dy ministrat serbë kanë shkelur kushtetutshmërinë e Kosovës me shkuarjen e tyre në Bruksel, duke lobuar kundër Trepçës. Prandaj, Qeveria duhet të merret me këtë shkelje që ia kanë bërë ministrat serbë kushtetutshmërisë së shtetit. Pra, kryeministri dhe Qeveria duhet t’i thërras dhe të bisedojë me ta lidhur me këtë shkelje. S’mund të jesh ministër në një shtet dhe të veprosh kundër interesave të po atij shteti”, tha Tahiri, transmeton KosovaPress.
“Edhe unë kam kuptuar nga mediat për këto veprime, që po i bën jo vetëm zëvendëskryeministri i Kosovës Stojanoviq, por edhe dy ministra. Mendoj që e kanë shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse ata kur janë zgjedhur ministra e kanë dhënë betimin si të gjithë Qeveria pranë Kuvendit të Kosovës, e të cilin jemi betuar se do ta respektojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Mendoj se është një qasje e gabueshme dhe kundërligjore dhe Qeveria duhet të merret me këtë shkelje, që e ka bërë ai dhe të tjerët”, ka thënë Tahiri.