Ministrja për Dialog, Edita Tahiri u takua sot me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar dhe familjarët e personave të pagjetur me të cilët bisedoi për çështjen e të pagjeturve dhe angazhimet e Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e fatit të tyre.
Sipas komunikatës nga kjo ministri, Tahiri vlerësoi punën e madhe të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur dhe angazhimin e familjarëve të këtyre personave dhe shprehu përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë së Kosovës për zbardhjen e plotë të fatit të personave të pagjetur.
Ajo potencoi se Qeveria e Kosovës vazhdimisht kërkon nga faktori ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë që të tregoj vendndodhjen e personave të pagjetur, sepse është Serbia ajo që ka bërë gjenocid në Kosovë dhe ka bërë zhdukjen e personave, andaj Serbia e dinë ku janë vendet dhe lokacionet e të pagjeturve.
Tahiri tha se në bisedimet në Bruksel, delegacioni i Kosovës kishte paraqitur faktet dhe kërkesat për zbardhjen e fatit të rreth 1800 personave të pagjetur si dhe ia ka dorëzuar BE-së listën e personave të pagjetur.
Ajo shpjegoi më tej se arsyeja pse dialogu në këtë temë nuk vazhdoi ishte sepse Serbia nuk u tregua e gatshme që të paraqes listën për vendndodhjen e këtyre personave të zhdukur. Ministrja Tahiri, theksoi se Qeveria e Kosovës vazhdon të kërkoj vazhdimin e bisedimeve në Bruksel për temën e të pagjeturve, ndërkohë që siguroi se kjo çështje është tema kryesore të cilën e kërkojmë për fazën e ardhshme të dialogut. Ajo po ashtu bëri shpjegimet për keqkuptimet që ndodhën në debatin e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, duke thënë se BE-ja kërkoi nga shtetet listat e vendndodhjes së të zhdukurve, sepse listat e emrave të 1860 personave të zhdukur ne ia kishim paraqitur BE-së.
Nga ana e tij, kryetari Prenk Gjetaj foli për rezultatet dhe sfidat e punës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, si dhe kërkoi më shumë përkrahje nga institucionet e Kosovës për zgjidhjen e këtij problemi për t’ia lehtësuar dhembjet familjarëve dhe gjithë Kosovës. Ai falënderoi ministren Tahiri për mbështetjen dhe bashkëpunimin katërvjeçar gjatë periudhës kur ajo si zëvendëskryeministre e kishte në përgjegjësi edhe çështjen e të pagjeturve.
Bajram Qerkini, anëtara i Komisionit dhe përfaqësues i familjarëve të të pagjeturve, theksoi se duhet më shumë angazhime nga Qeveria për të zgjidhur këtë problem, dhe se dialogu i Brukselit dhe Bashkimi Evropian duhet të bëjnë më shumë në këtë drejtim. Të këtij mendimi ishin edhe Sevdie Frangu dhe Sali Muhaxheri, të cilët sikur edhe z. Qerkini e shumë familje tjera kanë ende të pazbardhur fatin e familjarëve të zhdukur.
Në këtë takim u arrit dakordimi që të vazhdoj puna e përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi.
Në takim morën pjesë Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, si dhe anëtarët dhe përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, Bajram Qerkini, Sevdije Frangu dhe Sali Muhaxheri. /KosovaPress/