Aktuale

Tahiri: Me Serbinë asnjëherë nuk kemi biseduar për transportin hekurudhor

Një tren i sponsorizuar nga Qeveria e Serbisë, që pritet të hyjë në territorin e Kosovës, pa leje nga institucionet e Prishtinës zyrtare, ka marrë vëmendjen e madhe të opinionit, përderisa reagimet e Qeverisë janë gati të padukshme në raport me këtë që po ndodh sot në pjesën veriore të Kosovës.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e kontaktuar nga KosovaPress e tha prapë se tema e transportit hekurudhor nuk ka qenë pjese e dialogut të Brukselit.

“Për këtë çështje drejtojuni zyrës së kryeministrit, ministrit të i Infrastrukturës dhe Autoritetit Rregullator për Hekurudhat. Unë kam kërkuar ndërhyrjen e BE-së për të ndalur Serbinë dhe destruksionet e saja ndaj Kosovës, përfshirë provokimin nga ky tren me simbolika ultra-nacionaliste, në emër të ruajtjes së paqes e stabilitetit dhe parimeve të dialogut për fqinjësi të mirë. Prandaj duke qenë se nuk ka qenë temë në dialog, mendoj se duhet të kontaktoni institucionet kompetente për këtë fushë”, tha Tahiri.

Ministrja i tha KosovaPress-it se për këtë çështje i ka shkruar edhe BE-së dje ndërsa ka qenë në kontakte të vazhdueshme me ministrinë e Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili është duke u angazhuar për këtë çështje.