Aktuale

Tahiri: Pa njohjen e shtetit të Kosovës, nuk ka raporte me Serbinë

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka raportuar sot para komisionit për Punë të Jashtme.

Tahiri ka vlerësuar se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë kanë mundësi të realizohen, por ka tërhequr vërejtjen se kushti kryesor për realizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve është njohja e shtetit të Kosovës.

Tahiri ka thënë se kjo çështje është praktikuar edhe në vende të tjera të botës.

Sipas Tahiri, dialogu në mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit, ka dhënë rezultate historike, duke përmendur kështu marrëveshjet e arritura në mes dy shteteve.

Duke vlerësuar lart rolin e dialogut në Bruksel, Tahiri ka thënë se përmes tij, është ndihmuar forcimi I sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun.

“Këto bisedime kanë ndihmuar edhe  në normalizimin e marrëdhënieve duke mundësuar bërjen e strukturave paralele në fushën e sigurisë etj. Po ashtu kemi shuar strukturat e drejtësisë dhe po e shtrijmë sistemin unik të drejtësisë edhe në katër komunat veriore”, tha Tahiri.

Ajo u shpreh e bindur se  shumë shpejt do të bëhet vendosja e disa institucione qendrore me veprimtari lokale në veri, që bëhet fjalë për 23 ministri dhe hapja e zyrave për lëshimin e dokumenteve të Kosovës në veri.

Tahiri tha se gjendja e sigurisë në veri është përmirësuar, dhe për këtë sipas saj tregojnë shifrat e ulëta të incidenteve të kohëve të fundit.

Ministrja për Dialog ka theksuar se është  duke ndryshuar mendësia e qytetarëve serb për të pranuar shtetin e Kosovës, dhe për këtë sipas saj dëshmohet përmes kërkesave të shumta të serbëve për tu pajisur me dokumente të Kosovës.

E sa I përket marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, Tahiri tha se pa shuarjen e strukturave paralele nuk do të ketë marrëveshje, pasi që kjo marrëveshje bazohet në ligjet e Kosovës.

Tahiri tha se në fazën e tretë të dialogut që do të jetë faza përfundimtare, do të trajtohen çështje si Demarkacioni, të pagjeturit, njohja e Kosovës si dhe çështje të tjera./KosovaPress/