Aktuale

Tahiri: Nuk merrem më me Aida Dërgutin, s’arriti ta pengojë marrjen e Kodit telefonik

Përplasjet në mes të ministres për Dialog Edita Tahirit dhe deputetes nga radhët e Vetëvendosjes Aida Dërguti për letrën dërguar ITU-së për kodin telefonik nga kjo e fundit, nuk kanë të ndalur.

Dërguti edhe të martën gjatë seancës së Kuvendit e akuzoi ministren për Dialog për siç tha ajo, shpifje sa i përket letrës së publikuar,

Mirëpo këto deklarata, Tahiri thotë se nuk po i bëjnë përshtypje. Madje ajo në një prononcim për Express tha se ka gjëra më të rëndësishme që duhet të merret. E rëndësishme sipas saj është marrja e kodi telefonik për Kosovën.
“Letrën e keni në internet dhe vlerësojeni ju. Kodin e kemi marrë, të tjerat nuk kanë më rëndësi” tha ministrja Edita Tahiri.

Letra sipas saj, nuk ka arritur që ta pengoj marrjen e kodit, prandaj thotë se nuk ka se për çka të merret më shumë me këtë çështje.

“Prandaj nuk kam pse të merrem më këtë punë. Energjinë po e fokusoj të punët dhe përparimet e reja për shtetin”, u shpreh ajo për Express.

Kujtojmë se ministrja Edita Tahiri pati deklaruar në njërën nga seancat e Kuvendit se ishte pikërisht Dërguti ajo që kishte kërkuar nga ITU që Kosovës të mos ia lëshojë kodin telefonik.

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes kishte dhënë arsyet e saja rreth letrës, duke sqaruar se ajo përmban të gjitha shqetësimet legjitime që ata i kanë ngritur publikisht mbi pronësinë e kodit +383./GazetaExpress/