Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Sainir Tahiri, ka deklaruar në Prishtinë se urdhër-arrestet e lëshuara nga Serbia janë të paligjshme, andaj edhe i ka bërë kërkesë Interpolit që të shqyrtojnë fletë-arrestet, duke bërë filtrimin dhe mos ekzekutimin e tyre.
Ai në takimin me ministrin e Brendshëm të Kosovës, Skender Hyseni, theksoi se ka kërkuar filtrimin e këtyre flete-arresteve.
“Ekzekutimi i urdhër-arresteve të lëshuara nga Serbia është i tepërt, i paligjshëm dhe unë kam shprehur këtë bindje edhe drejtuesit të Interpolit jo vetëm në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj, por rishikimin e të gjitha urdhër-arresteve nga Serbia dhe mos ekzekutimin e tyre në të ardhmen. Kjo mbetet një çështje në diskutim e sipër me Interpolin. Është kjo arsyeja pse i kam kërkuar Interpolit që të rishikoj dhe të filtroj dhe të mos konsideroj në vijim çdo urdhër-arrest, siç bën në rastin e ish-kryeministrit Haradinaj, nga ana tjetër ne besojmë shumë fortë tek dialogu, ne mbetemi të bindur që gjuha e arsyes është rruga më e mirë”, tha Tahiri.
Tahiri tha se Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës deri tani kanë pasur shumë bashkëpunime të frytshme dhe pozitive, siç janë ato për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar në kuadër të mbikëqyrjes kufitare.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni tha se biseduan për punët që janë bërë dhe që duhen bërë për bashkëpunimin afatgjatë brenda shqiptarëve.
Ai shtoi se Tirana ka dhënë mbështetjen e saj për Republikën e Kosovës edhe në ndalimin e Ramush Haradinajt, andaj sipas tij, atje ku Kosova nuk mund të jetë e pranishme përfaqësohet nga Tirana.
“E falënderova ministrin Tahiri për angazhimin që Tirana ka demonstruar në rastin e ndalimit, unë nuk po e quaj arrestim të ish-kryeministri Ramush Haradinaj, dhe natyrisht e falënderova Tiranën dhe ministrin Tahiri për përkrahjen që i jep Kosovës në të gjitha rrafshet e bashkëpunimit ndërkombëtare policor, përkatësisht në këta mekanizma dhe atje ku Kosova nuk është e pranishme, ne e kemi gjithmonë një zë dhe ajo është Tirana…. Unë me ministren e drejtësisë i kemi shkruar sekretarit të përgjithshëm të Interpolit Jorgen Stock që të injoroi çfarëdo kërkese të tillë nga ana e Republikës së Serbisë, natyrisht veprimet që ka bërë Tirana, ministri Tahiri dhe qeveria shqiptare në këtë rrafsh janë absolutisht esenciale sepse Shqipëria është anëtare e Interpolit dhe rrjedhimisht e ka fuqinë e ndikimit”, tha Hyseni.
Hyseni theksoi se situata në veri është e njëjtë dhe do të ishte absurde të thuhet se në veri gjithçka është në rregull sepse atje tashmë ka dhe do të ketë veprime të paligjshme.
“Situata në veri është po ajo që ka qenë para dy javësh, një muaji, apo para dy muajve në trendë shumë të pahetueshme të lehta përmirësimi, fatkeqësisht rajoni i Ballkanit perëndimor nuk ka nevojë për armatim ekstra sepse ka armë sa të duash ka më tepër dhe do të bënim një konstatim krejtësisht absurd nëse themi se në veri është gjithçka në rregull sepse nuk është. Por që ka veprime dhe do të ketë veprime të paligjshme në veri këtë nuk e vë në pikëpyetje.. Dialogu duhet të vazhdoj, dialogu nuk ka alternativë. Ndërkohë që qytetarët serbë të Republikës së Kosovës i mbron vetë Republika e Kosovës e jo Republika e Serbisë, mbrojtja më e mirë për secilin qytetar të Republikës së Kosovës mund të kërkohet dhe të gjendet në Kosovë dhe jo në Beograd”, tha ai.
Hyseni ka thënë se me ministrin Tahiri kanë biseduar për punët që është bërë, ato që janë në vijim dhe punët që duhet të bëjnë, në mënyrë që bashkëpunimi sektorial, por edhe bashkëpunimi i përgjithshëm mes vendeve tona të jetë shumë dimensional, përmbajtjesor dhe afatgjatë./KosovaPress/