Ministrja për Dialog, Edita Tahiri ka mbajtur një fjalë rasti gjatë darkës së mirëseardhjes për pjesëmarrësit e Takimit Ndërkombëtar të Lidershipit, që po mbahet nën patronatin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe në të cilin po marrin pjesë rreth 250 përfaqësues nga shtete të ndryshme të botës.
Ministrja Tahiri tha se prezenca kaq e madhe në këtë takim ndërkombëtar tregon sa shumë miq ka krijuar Kosova si shtet i ri dhe se marrëdhëniet me shtetet tjera burojnë nga respekti, dashuria për paqen, përkushtimi për demokracinë, njohja dhe pranimi i tjetrit si koncept bazë i familjes së përbashkët botërore.
Tahiri theksoi se rruga e pavarësisë së Kosovës ka qenë e gjatë dhe e rëndë por është bërë me përkushtim dhe vendosmëri së bashku me aleatë, siç janë SHBA-të, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet demokratike në botë.