Sport

Ta përfaqësosh vendin ku s’je lindur!

Të garosh për vendin tënd në Lojërat Olimpike Dimërore është nderi më i madh për disa. Për të tjerë flamuri kombëtar në fanellë është diçka më i kompletuar.

Në “PyeongChang 2018” po garojnë 178 atletë që i përfaqësojnë vendet tjera apo që janë lindur diku tjetër, shkruan “Zëri”.

Njëri prej tyre është edhe Albin Tahiri. Garuesi i vetëm i Kosovës në evenimentin që po mbahet në Korenë e Jugut është lindur dhe është rritur në Slloveni. Megjithatë, ai vendosi ta zgjedhë vendin e babait të tij dhe këtë thotë se do ta bëjë me nder dhe me krenari.

“Kjo është ajo për të cilën kam ushtruar gjatë tërë jetës. Unë jetoj për këtë sport, ëndrra ime po bëhet realitet. Për mua pjesëmarrja në Olimpiadën Dimërore është po ashtu një shpërblim për çdo minutë që kam investuar në këtë sport dhe kjo po shpërblehet në fund. E kam pritur Kosovën dhe më në fund do ta përfaqësoj vendin e babait tim. Është një nder për mua. Do të mundohem t’i bëj krenarë bashkëkombësit e mi”, ka thënë 28-vjeçari para nisjes për në shtetin aziatik, transmeton “Zeri.info”.