Rajon & Botë

Synimi për pavarësi, presidenti katalanas nën presion

Presidenti katalanas Carles Puigdemont po përballet me trysninë në rritje për të hequr dorë nga planet e shkëputjes nga Spanja.

Ai po përgatitet të mbajë një fjalim kyç përpara Parlamentit rajonal dhe mendohet se do të shpallë në mënyrë të njënashme pavarësinë pas referendumit të shumëdiskutuar të 1 tetorit. Franca dhe Gjermania kanë shprehur që të dyja mbështetje për Spanjën e bashkuar.

Por edhe vetë kryetarja e Bashkisë së Barcelonës e nxiti Puigdemont të mos deklarojë shkëputjen dhe i bëri thirrje edhe Mariano Rahoit nga ana tjetër të mos e çojë në mendje kontrollin e drejtëpërdrejtë nga Madridi.

“Iu kërkoj të dyve të mos marrin vendime që mund të hedhin në erë shansin e një hapësire për dialog dhe ndërmjetësim. Ky është veprimi më i guximshëm që mund të bëjnë tani”, deklaroi Ada Colau, kryetare e Bashkisë së Barcelonës.

Lideri i partisë opozitarë socialiste në Spanjë, Pedro Sanchez ishte në Barcelonë ku iu tha gazetarëve se do ta mbështesë ndërhyrjen e qeverisë spanjolle përballë çdo pëprjekjeje për të shkatërruar harmoninë sociale, nëse pavarësia shpallet njëanshmërisht.

Madridi zyrtar kërcënon në këtë pikë të pezullojë autonomine e rajonit veri-lindor. Presioni ekonomik po rritet gjithashtu mbi liderin katalanas pasi kompanitë e mëdha po vazhdojnë t’i largojnë zyrat e tyre nga rajoni. Firma e infrastrukturës “Abertis”, grupi i pasurive të patundshme “Immobiliaria Colonial” dhe operatori telefonik “Cellnex” njoftuan që të gjithë se kanë ndërmend të zhvendosen në Madrid.