Rreth dhjetë ditë pritet të qëndrojë në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) në QKUK ish- komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, Sylejman Selimi. Mjekët thonë se ai ka simptoma të marramendjes dhe paqëndrueshmërisë në lëvizje, të shoqëruara me të vjella. Gazeta Express të martën ka biseduar me doktorin e QKUK-së, i cili po e trajton Selimin. Në burgun e Dubravës thonë se Selimi ka leje të qëndrojë në spital aq sa është e nevojshme. E gjendja e tij ka gjasa ta shtyjë udhëtimin drejt Hagës, ku ai është ftuar të intervistohet nga Gjykata Speciale.
Nesër është e paraparë që të intervistohet në Hagë ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi. Por, përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore mund ta shtyjë edhe për disa ditë intervistimin e tij nga zyrtarët e Speciales në Hagë.
Selimi, gjatë ditës së djeshme, është shtrirë në spital pas shfaqjes së disa problemeve shëndetësore.
Sipas mjekëve, ai atje ka shkuar me marramendje dhe të vjella. Andaj ekipi i klinikës së ORL-së së QKUK-së, ia ka përshkruar atij një terapi.
E Selimi terapinë do ta marrë në QKUK kur pritet të qëndrojë rreth dhjetë ditë.
Kështu ka sqaruar sot për Express, drejtori i Klinikës së Otorinolaringologjisë (ORL), Hajdin Thaçi.
“Gjendja e zotit Selimi është duke shkuar drejt përmirësimit. Selimi këtu te ne ka ardhë në ditën e hënë. Zakonisht në raste të tilla pacientët qëndrojnë këtu te ne për trajtim prej shtatë deri në dhjetë ditë. Ka sindromë vertigjinoze”, ka sqaruar për gazetën doktori i cili po e mbikëqyr gjendjen shëndetësore të Selimit.
Ai ka treguar edhe për simptomat që i janë shfaqur ish-komandantit të UÇK-së.
“Ai ka ardhur me simptomat e marramendjes të shoqëruar, paqëndrueshmëri në lëvizje. Ka edhe vjellje. Këto simptoma nevojitet që të trajtohen me terapi e jo intervenime kirurgjike”, ka treguar doktori Hajdin Thaçi.
Ai thotë se momentalisht Sylejman Selimi nuk ka nevojë për intervenim kirurgjik.
E në Burgun e Dubravës thonë se Selimi gjendet në spital dhe se aty do të qëndrojë aq sa e shohin të arsyeshme mjekët e QKUK-së.
Kështu i tha Expressit drejtori i Burgjeve, Nehat Thaçi.
“Ai do të qëndrojë në spital aq sa e shohin të arsyeshme mjekët. E ka të drejtën e shërimit. Selimi është njëri nga të burgosurit më të disiplinuar”, ka deklaruar Thaçi.
Ndryshe, si pasojë e problemeve shëndetësore, Selimi nuk dihet nëse do të intervistohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila i kishte dërguar ftesë për intervistim ish-komandantit të UÇK-së në fund të vitit 2018.
Intervistimi i tij ishte planifikuar të bëhej gjatë javës së dytë të janarit, ka raportuar Gazeta Express javën e kaluar.
Selimit, gjatë kohës sa po shërbente si ambasador në Tiranë, EULEX-i i ngriti aktakuza për krime lufte, në dy rastet e njohura si “Drenica” 1 dhe 2.
Në fund të dy proceseve, ish-komandanti i përgjithshëm i FSK-së u dënua më 14 vjet dënim unik, për të dy rastet, për krime lufte ndaj popullatës civile.
Gjykata Supreme e kishte kthyer në rigjykim rastin “Drenica 1”, rast në të cilin Gjykata e Apelit, Sylejman Selimit ia kishte vërtetuar 6 vjet burgim për “Tortura ndaj civilëve”.
Ndërkohë, Supremja, në shtator të 2018, për të dytën herë Sylejman Selimit ia vërteton dënimin unik prej 7 vjetësh burgim për krime lufte, në “Drenica 2”. /GazetaExpress/