Rajon & Botë

Sulmuesit sirian në Gjermani i ishte refuzuar kërkesa për azil

Sirianit i cili e hodhi veten në erë dhe lëndoi 12 persona tjerë gjatë shpërthimit në Ansbach të Gjermanisë, i ishte refuzuar kërkesa për azil një vit më parë, ka bërë të ditur ministri Joachim Herrman.

Ai kishte hyrë në Gjermani dy vite më parë, edhe pse i ishte refuzuar kërkesa për azil. Siriani ishte lejuar të qëndronte për shkak të situatës në vendin e tij.
Ministri Herrman tha se ishte i “zemëruar” për shkak të këtij sulmi dhe se kjo dëshmon që duhet të forcohen kontrollet ndaj personave që lejohen të jetojnë në Gjermani.

Sulmuesi ishte munduar që të bënte vetëvrasje edhe dy herë më herët dhe kishte qenë përkohësisht në një klinikë psikiatrike.

“Nuk dihet nëse ai ishte duke u munduar ta vriste veten apo të tjerët”, ka thënë Herrman.

Policia ka thënë se ka indikacione që pjesë metali kanë qenë të vendosura në mjetin shpërthyes.

Ata janë duke e hetuar shtëpinë e sulmuesit në Ansbach. Shefi i policisë, Roman Fertinger, ka thënë se është i befasuar se si njeriu i cili njihej edhe për sulme kriminale të mëhershme ka arritur ta abuzojë kështu sistemin gjerman të azilit.

Hetuesit janë duke u munduar ta zbulojnë se si ai kishte arritur t’i mbledhte eksplozivët e nevojshëm për ta realizuar sulmin dhe nëse ka pasur lidhje me ndonjë grup terrorist.

27 vjeçarit, pak minuta para se ta bënte sulmin i ishte ndaluar hyrja në festivalin e muzikës./KosovaPress/