Drejtori i Drejtorisë Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli ka prezantuar para mediave të gjeturat në rastin e sulmit të ndërtesës ne Kuvendin e Kosovës, me që rast janë arrestuar 6 persona.
Sipas tij Departamenti Kundër Terrorizmit ka arritur t’i identifikojë disa nga pajisjet dhe akterët e mundshëm të cilët e kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti.
Makolli, ka treguar rrjedhën e ngjarjes së sulmit ndaj Kuvendit, sipas hetimeve të bëra nga ky departament.
Sipas tij pista e hetimeve ka filluar pasi që në mediat elektronike është dërguar një komunikatë me anë së cilës një grup i quajtur “Rugovasit” ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Makolli u shpreh se hetimet kanë vazhduar në dy drejtime: identifikimi i kryerësve të veprës dhe identifikimi i atyre që e kanë dërguar komunikatën me anë të të cilës e kanë marrë përsipër sulmin.
“Me këtë rast hetimet janë përqendruar në dy pika: pista e parë ka qenë identifikimi i kryesve të sulmit të datës 4 gusht 2016, ndërsa e dyta ishte identifikimi i personave që në emër të këtij grupacioni e ka marrë përgjegjësinë për sulmin përmes komunikatës. Prandaj, bazuar në veprimet hetimore fillimisht kemi grumbulluar informacionet lidhur me motorin e përdorur në sulm nga peronat e dyshimtë. Duke grumbulluar informacione dhe duke e ndjekur edhe pronarët e mëhershëm të motorit është arrit të identifikohet personi i cili e kishte sjellë nga perëndimi në Kosovë këtë motor po ashtu ishte identifikuar edhe personi i fundit që ishte në posedim të këtij motori dhe i cili e kishte shitur vetëm disa ditë para ngjarjes”, tha Makolli.
Ai tregoi edhe për lëvizjen e telefonit me anë të të cilit ishte lëshuar komunikata duke treguar se kush ishte posedues i telefonit deri në ditën kur është lëshuar komunikata.
“Po ashtu më pas e kemi identifikuar edhe pajisjen apo thënë më shkurt aparatin telefonik prej të cilit është lëshuar komunikata për marrjen e përgjegjësisë dhe për paraqitjen e sulmeve të tjera. Në vazhdën e hetimeve kemi arrit t’i identifikojmë të gjithë përdoruesit e këtij aparati telefonik duke përfshirë edhe dy përdoruesit e fundit. Sipas hetimeve të zhvilluara gjithmonë bazuar në kodin e procedurës penale dhe në urdhëresa nga gjykatat kompetente është arrit të identifikohet personi i fundit që e kishte pas në posedim aparatin telefonik deri më 5 gusht të këtij viti që do të thotë deri në ditën kur është përdor ky aparat për tu lëshuar komunikata”, është shprehur Makolli.
Ai tha se të gjitha këto pohime janë të përcjella me fakte, foto, video, dëshmi tek prokuroria.
Makolli tha se gjashtë të arrestuarit janë organizuesit dhe ekzekutuesit e sulmit.
Ne baze te analizave tha se rasti është organizuar në mënyrë të sofistikuar, duke shtuar se njëri prej të arrestuarve dyshohet se e ka kryer sulmin.
Ai nuk tregoi nëse do të bastisen zyrat e Vetëvendosjes pasi të arrestuar janë 6 aktivistë të saj – përfshirë edhe një zyrtarë të lartë
Makolli tha se armët e konfiskuara nuk janë armë më të cilat është kryer sulmi pasi që arma me të cilën është sulmuar Kuvendi është gjetur në vendin e ngjarjes.
Lidhur me akuzat e Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës janë arrestuar si të dyshuar për Kuvend se këto arrestime po bëhen me qëllime politike, Makolli tha se Policia nuk bën këso lloj identifikime.
Ndërsa ai ka shtuar se Policia e Kosovës nuk ka fakte që sulmi ndaj Kuvendit ndërlidhet me asnjë sulm tjetër të ndodhur kohëve të fundit në vendin tonë.
Makolli ka thënë se hetimet janë duke vazhduar edhe për të dyshuar të tjerë në lidhje me këtë sulm, mirëpo nuk ka dashur të jep më shumë detaje duke thënë se hetimet mund të prishen./KP