Pasi ndaloi dy të rinj për atentatin në xhaminë e Kebekut, ku humbën jetën 6 persona, policia kanadeze ka deklaruar se vetëm njëri prej tyre është i dyshuar. Bëhet fjalë për franko-kanadezin Alexandre Bissonnette, 27 vjeç.
“Nuk ka asgjë tjetër që të sugjerojë për të dyshuar të tjerë prapa veprimit kriminal”, ka deklaruar zëdhënësja e policisë, Christine Coulumbe. I ndaluari tjetër, Mohamed el Khadir, një 30-vjeçar me origjinë marokene, konsiderohet dëshmitar i ngjarjes.
Zëdhënësja ka saktësuar se, asnjëri prej tyre nuk ishte person i njohur për hetuesit. Dy të rinjtë u ndaluan pak minuta pas masakrës.
Njëri prej tyre ndodhej ende në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri në 20 kilometra distancë.
Sipas mediave kanadeze, i dyshuari Bissonette jeton në Kap Ruzh dhe studion antropologji dhe shkenca politike pranë universitetit Laval, më antiku në gjuhën frënge në Amerikën e veriut, me seli pranë një xhamie.
Përmes rrjetit social Twitter, analistja Rita Katz, drejtoreshë e SITE, faqe e specializuar në aktivitetet e xhuhadistëve, ka bërë me dije se në profilin e tij në Facebook, 27-vjeçari, i identifikuar thjesht si Alex B, shprehte simpati për Trump, Maline Le Pen dhe forcat e mbrojtjes izraelite.
Megjithatë, ka shtuar analistja, gjasat që i riu të ketë pasur lidhje me xhihadin janë inekzistente.