Tre ditë pas mbajtjes së referendumit jolegjitim të Administratës Rajonale Kurde në Veri të Irakut (ARK), persona të paidentifikuar kanë sulmuar një zyrë të Frontit Turkmen të Irakut dhe një shoqatë kulturore të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Nexhdet Vindavi, zyrtar policor në rajonin Azadi, për AA tha se persona të panjohur kanë hapur zjarr ndaj zyrës dhe shoqatës kulturore Fazil Antika, ndërsa më pas janë larguar.
Vindavi tha se nuk ka viktima nga sulmet në fjalë, porse janë shkaktuar dëme materiale në ndërtesa.
Ai njoftoi se policia ka nisur hetim në lidhje me incidentet.
Ndryshe, Kirkuku ishte një nga rajonet e kontestuara në të cilat u mbajt referendumi kontrovers i ARK-së për shkëputje nga Iraku më 25 shtator. Për këtë arsye, zyra e prefektit të Kirkukut kishte shpallur ndalim qarkullimi si masë parandaluese ndaj tensionesh të mundshme.