Persona të armatosur kanë hapur zjarr ndaj ndërtesës së Parlamentit iranian dhe varrit të Ajatollahut Khomeini, duke shkaktuar të paktën 10 të vdekur e 12 të plagosur, në një sulm të marrë përsipër nga Shteti Islamik përmes faqes së tyre “Amaq”
Terrori prek kështu edhe zemrën e kryeqytetit të Republikës Islamike, ku episode të tilla janë të pazakonta.
Shkëmbime të ashpra zjarri thyen qetësinë e Teheranit, e regjistrimet audio tregojnë se të shtëna janë regjistruar edhe brenda sallës së Parlamentit, ku një roje sigurie raportohet të jetë vrarë në vend.
Pati një të vrarë dhe disa të plagosur, nga ana tjetër, te varri i ngritur në nder të themeluesit të Republikës moderne Islamike iraniane.
Raportet e deritanishme tregojnë se bëhet fjalë për një kamikaz dhe disa agresorë të tjerë të armatosur. Atentatori vetëvrasës, nga sa pohojnë dëshmitarët në vendngjarje, e hodhi veten në erë përpara një banke të ndodhur pranë mauzoleumit.
Agjencia vendase e lajmeve “Fars News” pretendon se kamikazi, në fakt ishte një grua. CNN thotë se mund të mos jetë ashtu, e citon informacione të tjera, që tregojnë se një grua në fakt është arrestuar dhe se tjetërkush është hedhur në erë.
Një tjetër agjenci, “Labour News Agency” përcjell lajmin se dy agresorë janë arrestuar nga policia. Raportet që mbërrijnë nga vendngjarja janë kontradiktore, por dëshmojnë dinamikën e një situate në zhvillim.
Thuhet se 3 agresorë janë ende brenda Parlamentit. Plot 7 apo 8 vetë u plagosën kur ndërtesa u mësy nga 4 atentatorë të armatosur me kallashnikovë dhe pistoleta “Colt”.
Mësymja e mauzoleumit, disa kilometra më në jug, ndodhi në të njëjtën kohë. Goditjet duket se kanë qenë të koordinuara.
Sulmet terroriste në Iran janë tejet të rralla, sidomos në kryeqytetin e kontrolluar rreptësisht të vendit, ku zonat qeveritare e ato të vizituara nga turistë mbrohen nga forca të shumta policore.
Kontrolli i armëve është gjithashtu shumë i ashpër, gjë që do të thotë se agresorët, me shumë gjasë i kanë siguruar armët e tyre nëpërmjet kontrabandës nga jashtë.
Irani me shumicë shiite është përfshirë në aksionet ushtarake kundër grupeve terrioriste sunite, siç është Shteti Islamik, të cilët i konsiderojnë shiitët si femohues.