Marko Jakshiq nga Partia Demokratike Serbe (DSS), ka akuzuar qeverinë e Serbisë dhe kryeministrin Aleksandar Vuçiq, për sulmin ndaj selisë së kësaj partie në veri të Mitrovicës.
Në një prononcim për KosovaPress Jakshiq ka theksuar se incidenti në selinë e DSS-së, tregon qartë se siguria për qytetarët e veriut të Mitrovicës është e rrezikuar.
Ndërsa mendon se në sulmin ndaj selisë së kësaj partie ka gisht direkt Qeveria në Beograd.
“Kjo që shihet këtu që ka mbetur, janë zyrat e deputetit të Parlamentit të Serbisë, Slavisha Ristiq, po ashtu janë hapësirat e Lëvizjes Popullore ‘Otadzbina’ (Atdheu) dhe hapësirat e Shoqatës së Miqësisë serbo-ruse. Ne jemi të njohur për qëndrimet tona kritike kundër pushtetit aktual në Beograd, para së gjithash Aleksandër Vuçiqit dhe pikërisht dje ka dal një tekst i yni rreth këtyre ngjarjeve të urës, murit dhe psikozës së luftës që ka mbretëruar. Dhe ajo që unë mendoj si njeri serioz 65 vjeçar, krejt kjo mban dorëshkrimin e Aleksandër Vuçiqit. Fatkeqësisht ky është një shembull se si ai konfrontohet me serbët dhe nuk po mund ta kuptoj se pas 17 viteve, duke pasur parasysh se jam njëri ndër ata që e kam mbrojtur këtë qytet, se serbët do ta bëjnë një gjë të tillë dhe do t’i djegin këto zyra”, ka thënë Jakshiq.
Selia e partisë së Jakshiqit është sulmuar sot në orën 3:00 të mëngjesit. Ende nuk dihen motivi dhe autorët e këtij incidenti./KosovaPress/