Biznesmeni më i suksesshëm në Kosovë, pronari i kompanisë ELKOS si dhe zv.kryeministri i parë i vendit, Ramiz Kelmendi, në serinë e emisioneve “AABTalk”, mbajti një ligjëratë tejet motivuese për studentëve e Kolegjit AAB, me temën “Roli i rinisë kosovare në zhvillimin e vendit”.
Ai në ligjëratën e tij u tha studentëve se sektori publik është i mbingarkur me kuadro dhe se sektori privat është e ardhmja e Kosovës.
“Qeveria dhe vendet në institucione, janë plotësuar sa i përket numrit të punëtorëve. Lirohen vende vetëm nga ata që kanë me vdek, ose ata që kanë me dal në pension të rregullt. Mos pritni që ka me pas Qeveria vende pune për të ardhmen, por ju keni me qenë baza e të ardhmes e zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe ju jeni privat”, tha biznesmeni Kelmendi.
Ai i njoftoi studentët se Qeveria e Kosovës e ka një fond për garantimin e kredive për hapjen e bizneseve të vogla, të cilat sipas tij janë aparat i zhvillimit të shtetit.
Kelmendi tha se rinia në vend ka shumë ide për hapjen e bizneseve të reja, krejt çka u duhet është që ta zhvillojnë atë duke e gjetur rrugën e duhur si nga ana profesionale, ashtu edhe nga ajo financiare.
“Njohuritë e juaja në raport me njohuritë e mija të asaj kohe sigurisht janë dhjetë herë më të avancuara, për arsye se keni kontakt me internetin, lëvizja e njerëzve, informatat janë më të shpejta.
Atëherë s’ka pasur internet, ka pasur shumë pak informata, prandaj krejt çka kem ditur është që të kemi një punë të mirë, një shtëpi dhe një veturë, për pasuritë e tjera as që ke mundur t’i mendosh për arsye se nuk do t’ju kishin lënë t’i bëni”, u tha ai studentëve.
Ndërsa sot, sipas tij, çdo kush mund të shkojë me njohuritë e tij shumë lartë.
“Pa marrë parasysh nëse unë jam në këtë pozitë ku jam, shumë prej jush, nëse angazhoheni, do t’i kapërceni edhe këto që unë kam arritur deri më tani”, u tha studentëve biznesmeni Kelmendi.
Ai u tregoi studentëve disa shembuj se si zhvillohet një ide, e cila në fillim duket shumë e thjeshtë, por që nga ajo mund të arrihen milionat.
Pos tjerash, në këtë ligjëratë, biznesmeni kosovar, rrëfeu edhe historinë e vet se si ka qenë rrugëtimi i tij drejtë suksesit që nga koha e studimeve e deri në ditët e sotme.
“Krejt këto që i kam arritur, i kam arritur duke qenë i ndershëm, i sinqertë dhe duke marrë kredi. Për 36 vite që jam menaxher, asnjë ditë nuk e kam vonuar rrogën, asnjë ditë s’e kam vonuar këstin e kredisë dhe asnjë ditë nuk e kam vonuar pagesën ndaj furnitorëve”.
Në fund të kësaj ligjërate, pati edhe një debat ku studentët e Kolegjit AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj biznesmeni më i suksesshëm kosovar, Ramiz Kelmendi. /GazetaKNN
Ju keni mundësi ta shikoni ligjëratën e plotë në videon e më poshtme:





















