Aktuale

Sugjerimet e Fatmir Limajt për Albin Kurtin

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj gjatë fjalimit të tij ka dhënë disa sugjerime, sipas tij, për mandatarin Albin Kurtin.

Ai tha se sot është dita e parë e fillimit të funksionimit të institucioneve dhe sigurisht që do të kenë rast të mjaftueshëm që secili të mbrojë qëndrimet e veta, por po e fillon sot më tepër me disa sugjerime për mandatarin.

“E para mandatari sugjerimi im për mandatarin është me ul pak kokën,  me ul kokën edhe me nis me u sjell si kryeministër i Kosovës, me ul kokën edhe me ja nis me punu, si burrështetas me ja nis me i shërby vendit”.

Ai tha se mandatari Kurti në mënyrë të veçantë ka shumë punë, për dallim nga mandatarët e kaluar, për faktin se s’ka qenë thjesht një opozitar, ka qenë më tepër, ka qenë me të kaluarën nuk e ka kursyer veprimin dhe gjuhën deri në ndarje përçarje dhe urrejtje.

“Duhet të jesh i kujdesshëm për fjalët që i thua dhe sjelljet sepse ato nuk harrohen, ato çojnë mesazhe”, thotë ai.

Limaj shton se Albin Kurti ka shumë punë dhe duhet të ndryshojë.

“Albini ka shumë punë për t’i përmirësuar për të ndryshuar prej Albini i opozitës, dhe ne askujt nuk mund t’ia marrim të drejtën për të ndryshuar, ama Albini ka shumë punë, duhet njerëzve vetë të ju ndërpres gjuhën e urrejtjes siç kemi parë e ka vazhduar edhe mas zgjedhjeve.

Historia e Kosovës duhet ta dijë “VV nuk fillon me juve, nderoni dhe respektoni ata njerëz dhe atë të kaluar të mirë”, tha ai.

Ai tha se do ta përshëndes çdo punë të mirë në Kosovë, sepse Limaj thotë se çdo punë e mirë i shërben Kosovës.

“Arrogancën hiqne, ja kam pas thënë në mandatin e kaluar një shumice të madhe, juve ka me ju rrëzu arroganca juaj dhe ashtu ka ndodhë, nisja me shëru urrejtjen që e keni mbjellë te qytetarët”, deklaroi Limaj.

Mes tjerash Limaj tha se ka bindjen se Kurti po e merr mandatin para kohe, dhe paraprakisht ai është dashur të jetë ndonjë zëvendësministër apo ministër dhe më vonë nëse fiton të merr mandatin e kryeministrit./FaktePlus