Suedia ka shënuar numër rekord të testimeve për COVID-19, javën e kaluar. Mbi 120 mijë mostra janë testuar, megjithatë vetëm rreth 1 mijë e 300 prej tyre kanë rezultuar pozitive me koronavirus, transmeton Express
Këto të dhëna i ka bërë të ditura agjencia shtetërore e shëndetësisë, ku është theksuar se kjo është shkalla më e ulët e infektimit në kohën kur vendet tjera në Europë po përballen me rritje të numrit të të infektuarve.
“Suedia shmangu izolimin dhe në vend të kësaj shtoi përgjegjësinë personale, distancimin shoqëror dhe higjienën, si përpjekje për të ngadalësuar më tepër sesa për të çrrënjosur një sëmundje që mendohet se ka ardhur këtu për të qëndruar”, shkruan Reuters, transmeton Express.
Strategjia e Suedisë është kritikuar brenda dhe jashtë vendit, pasi kishte numër të madh të vdekjeve nga koronavirusi, megjithatë, kjo strategji u vlerësua nga zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë si një model i qëndrueshëm.
“Qëllimi i qasjes sonë është që njerëzit vetë të kuptojnë nevojën për të ndjekur rekomandimet dhe udhëzimet që ekzistojnë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Suedeze të Shëndetësisë Johan Carlson në një konferencë shtypi.
Ndërsa shumë vende kanë ndryshuar rregullat dhe kufizimet e izolimit, Carlson tha se udhëzimet suedeze ishin krijuar për t’u kuptuar dhe mbajtur për një periudhë afatgjatë.
Më shumë se 5 mijë e 800 persona të infektuar kanë vdekur në Suedi, megjithatë shifrat atje janë më të ulëta se në Itali, Spanjë dhe Britani të Madhe.
Vdekjet, hospitalizimet dhe rastet e reja në Suedi kanë shënuar rënie, ndërkaq vendet si Spanja dhe Franca luftojnë me rritje të numrit të të infektuarve edhe pas masës së izolimit.
Mbi 120 mijë teste janë kryer javën e kaluar në Suedi, megjithatë vetëm rreth 1 mijë e 300 prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
“Strategjia jonë ka qenë e qëndrueshme. Ne ndoshta kemi një rrezik më të ulët të përhapjes këtu krahasuar me vendet e tjera, ”tha Jonas Ludvigsson, profesor i epidemiologjisë në Karolinska Institutet, duke shtuar se Suedia ka të ngjarë të kishte një nivel më të lartë të imunitetit në popullatë sesa shumica e vendeve tjera.