Aktuale

Subjektet politike deri tash janë gjobitur me 16.700 euro

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka dorëzuar deri më tani 51 ankesa në PZAP, për shkelje të rregullave nga subjektet politike, me ç’rast me vetëm 11 vendime të marra deri më tani, ato kapin vlerën prej 16.700 euro.

Ky koalicion në një konferencë për media tha se kanë vërejtur që gjatë fushatës, subjektet politike kanë përdorur edhe veturat zyrtare.

Albert Krasniqi në një konferencë për media, tha se kjo shumë do të rritet dukshëm dhe se një gjë e tillë do ta rrisë buxhetin e shtetit.

“Deri më tani në PZAP i kemi dorëzuar 51 ankesa ndaj subjekteve politike. Prej tyre janë marrë 11 vendime e pjesa tjetër janë ende në proces të shqyrtimit. Deri më tani, në total, janë shqiptuar 16.700 euro gjoba, ndaj subjekteve politike. Sipas subjekteve politike prinë koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) me 7.500 euro gjobë për 5 raste, koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) me 2500 euro gjobë për 2 raste të shkeljeve, LVV me 1200 euro për 1 rast dhe KDTP (Partia Turke) me 5500 euro për 3 raste”, tha Krasniqi.

Në monitorimin e fushatës zgjedhore, Krasniqi tha se është vërejtur një numër i vogël i pjesëmarrësve, ndërsa, theksoi se është vërejtur numër i madh i fëmijëve që marrin pjesë në tubimet politike.

Sipas tij, nga 394 aktivitete të vëzhguara, vetëm në 29-të prej këtyre tubimeve ka pasur pjesëmarrje që kalon numrin prej mbi 1.000 pjesëmarrës. Ndërsa sa i përket pjesëmarrjes së fëmijëve në këto tubime, ai tha se numri i tyre ka shkuar rreth 2100.

“Ne kemi vërejtur se nga 64 aktivitete të partive politike janë shfrytëzuar resurset publike për nevoja të tyre. Prej tyre prinë koalicioni PDK-AAK-Nisma, ku kanë përdorur 19-të vetura zyrtare. 21 shërbyes civil janë identifikuar për pjesëmarrje në tubime publike dhe dy raste të tjera janë resurse të tjera publike që janë shfrytëzuar. Pastaj, është koalicioni LDK-AKR-Alternativa të cilët kanë shfrytëzuar 17-të vetura zyrtare, 7 shërbyes civil dhe një rast tjetër për përdorim të resurseve të tjera. Lëvizja Vetëvendosje është me një veturë zyrtare që është identifiku dhe në rast për resurs tjetër publik. Kurse tek lista serbe janë vërejtur 4 shërbyes civil të cilët kanë marrë pjesë në aktivitetet në mënyrë të organizuar të partive politike”, tha Krasniqi.

Dustan Radakovic nga ACDC, tha se aktivitetet që ata organizojnë janë të rëndësishme për të siguruar një proces fer dhe të barabartë, por sipas tij, në Kosovë ende nuk janë të gjithë të gatshëm për fushatë të drejt dhe korrekte.

Radakovic shtroi çështjen e shtrirjes së aktiviteteve zgjedhore në pjesën veriore të Kosovës, me ç’rast tha se është vetëm Lista Serbe, ajo që zhvillon aktivitete në atë pjesë të vendit.

“Në qoftëse e përjashtojmë komunën e Leposatoviçit, besojmë se fushata është zhvilluar në formë të qetë dhe pa ndonjë problem të madh. Kur e përjashtojmë Leposotaviçin na mbeten tri komuna të tjera, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Zubinpotoku. ….Nëse flasim për monitorimin e fushatës në tri komunat e pjesës veriore të Kosovës, atëherë shohim se është vetëm Lista Serbe ajo që zhvillon aktivitete në mënyrë të rregullta, ka tubime me qytetarë, dje e kemi pasur një në Zveçan dhe në ditët në vijim pritet të kemi një në Mitrovicën Veriore, në Zubinpotok “, tha ai.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol, tha se nga monitorimet e bëra në mediat e shkruara, 66 përqind dominon analiza e cila përshkruan edhe fushatën zgjedhore, ndërsa nga subjektet politike tha se dominon LDK-ja. Ndërsa njeriu që përmendet më së shumti sipas monitorimit të bërë është Ramush Haradinaj.

“Prej mbulimit medial të shkruar, partia që dominon më së shumti është LDK-ja me 24 përqind, pastaj Vetëvendosja me 15 përqind, vjen PDK me 13 përqind, AAK me 12 përqind dhe të tjerat. Kemi analizuar se si mbulohen edhe kandidatët brenda koalicionit dhe brenda partisë. Brenda partisë, njeriu që më së shumti targetohet është Ramush Haradinaj me 91 përqind. …..Ndërkohë që brenda koalicionit PAN është rreth 33 përqind të totalit të tërësishëm që këto parti kanë, përmendja e Ramsh Haradinajt. Avdullah Hoti përmendet me 78 përqind në aktivitetet që ka LDK-ja, ndërkohë 43 përqind në aktivitetet që kanë gjithë partnerët e koalicionit. Te Vetëvendosja është pak a shumë e ngjashme, 82 përqind përmendet dhe përshkruhet aktiviteti i Kurti”, tregoi Zogaj.

Sa i përket analizës në aspektin gjinorë, Zogaj tha se është mbi 87 perqind vlera e përgjithshme që e zënë burrat në fushatën zgjedhore.

“Në total të shkrimeve që ne i kemi parë nëpër gazeta, 87përqind janë burra, dominojnë pra në të gjitha aktivitetet e partive politike dhe vetëm 13 përqind janë gra”, shtoi ai.

Për këtë ai tha se aktivitetet e koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma) të monitoruara nga DnV, 80% e folësve kanë qenë burra, ndërsa 20% e folësve kanë qenë gra. Në aktivitetet e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, 82% e folësve kanë qenë burra, ndërsa 18% e folësve kanë qenë gra.

Ndërsa edhe në aktivitetet e LVV-së, 72% e folësve kanë qenë burra dhe 28% e folësve ishin gra. Ndërkaq, në bazë të statistikave të DnV, në aktivitetet e Listës Serbe, 94% e folësve kanë qenë burra dhe vetëm 6% gra.

Ndryshe, qendra e DnV-së në ditën e zgjedhjeve më 11 qershor, do të jetë e vendosur në hotelin “Sirius” ku qytetarët mund të lajmërojnë të gjitha parregullsitë eventuale që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor. /kp