Pirja rregullisht e sasive të moderuara të disa pijeve alkoolike mund të reduktojë shanset e zhvillimit të diabetit, sipas një studimi.
Konsumimi i alkoolit tre-katër ditë në javë u shoqëruar me reduktim rreziku për diabetin – 27% te burrat dhe 32% te gratë – krahasuar me mospirjen.
Shkencëtarët në Danimarkë, të cilët kanë bërë zbulimin, vënë në dukje se vera ishte veçanërisht dobiprurëse, ndoshta për shkak të përbërësve kimikë që përmirësojnë balancën e sheqerit në gjak.
Xhini kishte efekt të kundërt, bashkë me pije të tjera, duke rritur shansin e zhvillimit të diabetit te gratë me 83%.
Ekpertët thanë se rezultatet, publikuar në revistën Diabetologia, nuk duhet të shihen si dritë e gjelbër për të pirë më tepër alkool nga normat e lejuara.
Autorët e kërkimit, nën drejtimin e Prof. Janne Tolstrup nga Universiteti i Danimarkës Jugore, shkruajnë: “Kemi zbuluar se frekuenca e pirjes së alkoolit është e shoqëruar me riskun e diabetit dhe se konsumimi i alkoolit tre-katër herë në javë shoqërohet me rrezik më të ulët të diabetit”.
Studime të mëparshme kanë sugjeruar se pirja e alkoolit në sasi të vogël apo të moderuar mund të reduktojë rrezikun e zhvillimit të diavetit, por nuk ka pasur kërkume mbi frekuencën e konsumimit.
Shkencëtarët studiuan të dhëna nga 70.551 burra e gra që morën pjesë në kërkimin danez. Pjesëmarrësit u pyetën për zakonet e të pirit dhe u monitoruan për pesë vjet.
Më pas, pjesëmarrësit u vëzhguan dhe u pa se 859 burra dhe 887 gra kishin zhvilluar diabetin. Investigimi nuk bëri dallim midis dy formave të diabetit, tipi 1 dhe tipi 2, shumë më i zakonshëm.
Për të dyja gjinitë, shtatë gota verë në javë e ulën rrezikun e diabetit nga 25 në 30% krahasuar me pirjen e më pak se një gotë.
Pirja e birrës ndikoi në mënyrë të ndryshme te burrat e gratë. Burratë që pinë një deri në gjashtë gota birrë në javë patën ulje rreziku me 21% krahasuar me burrat që pinë më pak se një gotë në javë. Te gratë nuk pati ndikim.
Normat e lejuara sugjerojnë pirjen e jo më tepër se 14 njësi alkooli në javë, për burrat e gratë. Kjo është baras me rreth tri litra birrë. Sasia duhet konsumuar për të paktën tri ditë.