Rajon & Botë

Studim: ShBA-ja mund të ketë 145,000 të vdekur nga koronavirusi deri në gusht

Hulumtuesit e Universitetit të Uashingtonit kanë vlerësuar se 145,728 persona mund të vdesin nga sëmundja Covid-19 në Shtetet e Bashkuara deri në muajin gusht të këtij viti.

Të premten, Instituti për Matje dhe Vlerësime Shëndetësore i parashikoi 140,496 të vdekur deri në gusht, por shifra u rrit për më shumë se 5,000 vetëm disa ditë më pas. Hulumtuesit nuk dhanë ndonjë arsye për këtë ndryshim të parashikimit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Vlerësimi i ri u publikua në ditën kur Teksasi e raportoi numrin më të lartë të hospitalizimeve dhe në kohën kur 22 shtete të ShBA-së kanë shënuar rritje të numrit të rasteve të reja të infektimeve.

Në mesin e shteteve me rritjen më të madhe të numrit të rasteve janë Michigan dhe Arizona, ndërsa Virgjinia dhe Nebraska kanë shënuar rënien më të madhe.

Ekspertët e sëmundjeve ngjitëse kanë thënë se protestat masive që u mbajtën në qytetet kryesore pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd mund të shkaktojnë valë të re të përhapjes së virusit.

the authorGazetaKNN