Forumi i dytë i nivelit të lartë për energji “Strategjia e Energjisë dhe Liberalizimi i Tregut” ka mbledhur të gjithë aktorët për të diskutuar mbi strategjinë e energjisë së Kosovës dhe liberalizimin e tregut në mënyrë që institucionet përkatëse dhe të gjithë hisedarët e këtij sektori do të kenë mundësinë për të debatuar mbi çështjet aktuale me rëndësi për sektorin e energjisë.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, u shpreh mirënjohës për mbështetjen që qeveria ka marrë nga partnerët ndërkombëtar duke ndikuar në rimëkëmbjen e ekonomisë, raporton Ekonomia Online.“Ne kemi miratuar Strategjinë e Energjisë të cilën e konsiderojmë të rëndësisë së veçantë. Konsiderojmë se sa ka qenë e rëndësishme miratimi i kësaj, aq është i rëndësishëm edhe implementimi i saj, e cila do të jetë një prioritet”, tha Mustafa.
“Kosova ka nevojë të zhvillojë burimet e energjisë dhe duhet të fillojmë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, e cila do të krijojë kushte për zhvillim ekonomik dhe gjithashtu do të sigurojë investitorët që do të vijnë se nuk do të ketë probleme për furnizim me energji elektrike.
Zhvillimi ekonomik është prioriteti jonë kryesor”,ka shtuar Mustafa.“Do të sigurojmë edhe respektimin e plotë të kushteve ambientale, mirëpo për të siguruar këto ne kemi nevojë për mbështetje, të kemi ekspertiza në mënyrë që të krijojmë nxitje të zhvillimit.
Ne përmes politikave ditore ekonomike të cilat kanë krijuar stabilitet makroekonomik dhe për këtë ne kemi vërtetuar se mund t’ia dalim dhe jemi një shtet që mund t’i sigurojmë investitorët që mund të vijnë dhe të tregojnë veten këtu”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha se lajm pozitiv që i paraprinë këtij forumi është miratimi i Strategjisë së Energjisë, e cila krijon një bazament për të ardhmen e energjisë.Sipas tij, objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese.“E para është që ka të bëjë me stabilitetin për furnizim, përballueshmëria e çmimeve.
Të gjitha këto iniciativa nuk mund të bëhen vetëm nga një aktor, por këto do të mund të bëhen të mundura vetëm me integrimin e të gjithë hisedarëve të sektorit të energjisë”, ka thënë Stavileci.“Sektori i energjisë është i një rëndësie të veçantë dhe ky duhet të bëhet në mënyrë të sigurt. Objektivi i parë ka të bëjë me ndërtimin dhe rehabilitimin e kapaciteteve gjeneruese, integrimi në tregut rajonal…”, ka thënë Stavileci.