Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se krijimi i Ushtrisë është çështje për të cilën vendos Kosova, megjithatë ai thotë se NATO e ka bërë të qartë që një lëvizje e tillë po bëhet në kohë të pa përshtatshme.
Këto deklarata sekretari i NATO-së, i ka bërë në një intervistë për mediumin malazez ‘cdm.me’, ku ndër të tjera ka folur edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit.
“Edhe pse parimisht transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës është një çështje për të cilën vendos Kosova, ne e kemi bërë të qartë që një lëvizje e tillë po bëhet në kohë të pa përshtatshme. NATO e mbështet Forcën e Sigurisë së Kosovës në mandatin e saj. Me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut do të shqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-së në raport me Forcën e Sigurisë së Kosovës”, ka thënë Stoltenberg, transmeton GazetaExpress.
Sipas tij të gjitha palët duhet të kujdesën që edhe përkundër vendimit për krijimin e Ushtrisë, situata të mos tensionohet.
“ Të gjitha palët duhet të sigurojnë që ky vendim i bërë në kohë të gabuar, të mos ndikojë në rritjen e tensioneve në rajon. Të gjithë akterët politik në rajon duhet të fokusohen në progres, reforma dhe dialog”, ka shtuar ndër të tjera sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Stoltenberg ka folur edhe për diskutimet që ka pasur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, rreth çështjes së Ushtrisë së Kosovës.
“Kam theksuar se është e rëndësishme që të përmbahen nga çdo deklaratë apo veprim që mund të qojë në përshkallëzim të situatës”, ka potencuar zyrtari i lartë i NATO-s.
Ai ka ka folur edhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se NATO përkrah normalizimin e raporteve përmes dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Kjo është jetike për paqen dhe sigurinë në rajon”, ka thënë ndër të tjera, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./GazetaExpress/